Kanë paralajmëruar se do të bëhen bashkë për ta çuar PDK-në në opozitë. Madje për të koordinuar dhe harmonizuar idetë dhe qëndrimet janë caktuar edhe përfaqësuesit e partive. Avdullah Hoti dhe Dardan Sejdiu janë emrat që dy subjektet politike kanë caktuar si përfaqësues të bisedimeve.
Por një bashkim mes koalicionit LAA dhe Vetëvendosjes po duket si i pamundur. Kështu të paktën beson Artan Muhaxhiri, njëri nga analistët politik në vend. Sipas Muhaxhirit janë akuzat e fundit të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, i cili drenjtuesit e VV-së i ka quajtur banditë dhe kriminelë.Por ndryshe mendon një koleg i tij, po ashtu analist politik. Ramush Tahiri thotë se edhe përkundër këtyre akuzave të rënda të Mustafës, LDK-në dhe VV-në i bashkon një qëllim: Dërgimi i PDK-së në opozitë.Artan Muhaxhiri ka thënë për KosovaPress se akuzat e fundit të kryeministrit në detyrë, drejtuar VV-së e pamundësojnë bashkimin e tyre për ta formuar Qeverinë.
Muhaxhiri nuk e sheh si opsion të mundshëm as shkuarjen në zgjedhje, pasi që thotë se akuzat e rënda të kryeministrit Mustafa ndaj VV-së, në një mënyrë i hapin rrugë dhe PAN-it që ta kërkojë një aleancë me AKR-në për të krijuar një Qeveri të re.
Por një mendim krejtësisht ndryshe e ka analisti Tahiri.
Tahiri thotë se edhe përkundër akuza të Mustafës ndaj VV-së, LDK-në dhe Vetëvendosjen i bashkon platforma kundër PDK-së. Ai madje ka shtuar se një qeverisje LDK-VV ka përparësi pasi që në këtë mënyrë arrihet shumica shqiptare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.Tahiri konsideron se në Kosovë është duke u zhvilluar një luftë politike ndërsa thekson se akuzat që po bëhen kohëve të fundit mund të jenë edhe të vërteta. Sipas tij, subjektet politike duhet të bashkëpunojnë për të ndërtuar Qeverinë në bazë të planit qeverisës, në bazë të afateve dhe prioriteteve.
LDK është në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës. Por zyrtarë të AKR-së kanë paralajmëruar se mund të dalin nga koalicioni pasi që sipas tyre me këto deklarata LDK vetëm po bën lojë.
Të enjten Isa Mustafa me anë të një postimi të gjatë në Facebook ka thënë fjalë të rënda, për PDK-në, disa ambasadorë të huaj që kanë qenë në Kosovë, njerëz nga partia e tij, LDK, por më së shumti ka akuzuar VV-në. Përveç dosjeve që ia kanë dërguar në Gjykatë Mustafa ka përmendur të gjitha sulmet ndaj tij ndërsa e quan atentat sulmin me yje metalikë në veturën e tij zyrtare.KosovaPress ka kërkuar deklarata edhe nga zyrtarë të Vetëvendosjes në lidhje me akuzat që ua jka bërë Isa Mustafa, por asnjë nga ta nuk u janë përgjigjur interesimit të agjencisë. /KosovaPress/