Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se kujtesa është e freskët për masakrën e Reçakut edhe 20 vjet pas saj. Ai tha se pamjet ishin aq të tmerrshme saqë kur kujtohen të tronditin edhe sot e kësaj dite.
Lideri opozitar bëri këto deklarata me rastin e shënimit të masakrës së Reçakut, ku 20 vjet më parë forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë.
Kurti tha se për Reçakun drejtësia është aq e vonuar saqë ajo ende nuk ka filluar.
Ai kujtoi se nuk është gjykuar e dënuar asnjë polic apo ushtarak serb për këtë krim të pashembullt.
“Më 10 qershor të vitit 2005, bashkë me banorët e fshatit Reçak dhe me familjarët e martirëve e patëm vënë përballë UNMIK-ut një çarçaf me emrat e njëzet kriminelëve serbë të cilët ishin ekzekutorë të shqiptarëve në Reçak më 15 janar të vitit 1999. Ende, as drejtësia vendore dhe as ajo ndërkombëtare nuk kanë vepruar për t’i vënë prapa grilave ata kriminelë të cilët goditën në mënyrë mizore popullsinë civile të pambrojtur e të paarmatosur”, ka thënë Kurti.
Ai tha se masakra e Reçakut e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore që të ndërhyjë NATO-ja kundër Jugosllavisë së Milosheviqit, duke e kuptuar të gjithë atë që ne e dinim kaherë, se Serbia e kupton vetëm gjuhën e saj, pra gjuhën e forcës.
“Sot, dy dekada më vonë, ne përulemi me respekt e me dhimbje, por edhe me krenari, për martirët dhe dëshmorët e kombit në përgjithësi dhe posaçërisht për ata këtu në Reçak. Familjarët e të vrarëve janë po ashtu viktima dhe çdo ditë që kalon është ditë e padrejtësisë për ta”, është shprehur Kurti.
Në këtë rast, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se dëshmorëve dhe martirëve të kombit si dhe familjeve të tyre, “ne si qytetarë, si politikanë, si përfaqësues, si aktivistë iu kemi shumë borxh. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!”.