Një shpërthim në një deponi të derivateve ka ndodhur para pak çastesh në Miradi të Fushë Kosovës.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 pas një shpërthimi të një rezervari të deponisë së derivateve.
“Rreth orës 14:00 policia ka marre informatën për një shpërthim të ndodhur në një nga rezervuarët e një deponie të derivateve në fshatin Miradi komuna e Fushe Kosovës. Policia me të gjitha njësite e nevojshme si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Deri më tani raportohet për 4 persona të lënduar”, ka deklaruar Borovci.
Po ashtu nga Policia e Kosovës ka njoftuar se ka filluar evakuimin e personelit nga vendngjarja.
“Duke parë rrethanat në vendin e ngjarjes si dhe mundësinë e përhapjes se rrezikut nga zjarri policia ka nisur evakuimin e personelit nga vendngjarja dhe varësisht nga rrjedha mund të bëhet edhe evakuimi i njerëzve nga një perimetër i caktuar që të shmangen pasojat eventuale”, ka deklaruar Borovci.