Avokati Dastid Pallaska ka thënë se politikanët do ta keqpërdornin referendumin për të fshehur dështime sa i përket vendimeve që marrin. Ndërkaq, ka theksuar se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese për ushtrinë e Kosovës. Ka kërkuar vetëm rritjen e kapaciteteve pa bërë ndryshime në aktin më të lartë juridik.
Dastid Pallaska, njohës i fushave juridike, thotë se për demokracitë e brishta, siç është Kosova, ligji për referendumin mund të jetë jo shumë i favorshëm. Sipas tij, ekziston rreziku që referendumi të keqpërdoret nga liderët politikë për rastet kur ata do të duan të fshihen pas votës së popullit për vendimet e tyre.
“Tani kur kjo klasë e konsumuar politike nuk po arrin që vendimet e rëndësishme në këtë vend t’ua atribuojë aleatëve ndërkombëtar dhe gjithë jo popullaritetin që mund të shoqërohet për vendime me rëndësi për vendin, tash kjo elitë e konsumuar politike, ndoshta synon që nëpërmes referendumit të zhvishet nga përgjegjësia që i takon me ligj dhe me Kushtetutë për vendimet e rëndësishme që duhet të merren”, vlerëson Pallaska për Radion Evropa e Lirë.
Referendumi nuk do të mund të përdoret si instrument për zhbllokimin e disa vendimeve, qoftë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi apo themelimin apo jo të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thekson Pallaska.
Pallaska mendon se për themelimin e forcës mbrojtëse, nuk ka nevojë të ndryshohet as Kushtetuta dhe as të organizohet referendumi.
“Krijimi i një ushtrie, e Forcës së Sigurisë në kuptimin kushtetues, nuk kërkon asnjë ndryshim në Kushtetutën e vendit dhe rrjedhimisht nuk mund ta paramendoj si një çështje që do t’i nënshtrohej referendumit. Për këtë arsye, unë mendoj se ushtria duhet të bëhet me veprime të caktuara, me fuqizim të kapaciteteve”, thotë ndër të tjeraPallaska për REL.