Rajon & Botë

Pakistani “pushtohet” nga karkalecat, shpallet gjendja emergjente

Autoritetet pakistaneze e kanë shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas rritjes së madhe të numrit të karkalecave, të cilët kohëve të fundit janë përhapur edhe në pjesën lindore të Afrikës dhe në Arabinë Saudite.

Qeveria qendrore e shpalli gjendjen emergjente pasi një grumbull i madh i karkalecave arriti në pjesën lindore të Pakistanit, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Këto krijesa kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha të të mbjellave në lindje të Afrikës, duke e përfshirë një rrip të gjerë prej 65 kilometrave.

Ministri i informacionit, Firdous Ashiq Awan, tha: “Jemi duke u përballur me numrin më të madh të karkalecave në më shumë se dy dekada dhe kemi vendosur që ta shpallim gjendjen emergjente për ta trajtuar këtë kërcënim.”

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se përhapja e karkalecave në vendet afrikane, përfshirë Etiopinë, Kenian dhe Somalinë, mund të sjellë krizë humanitare për shkak të dëmtimit të të mbjellave dhe rrezikimit të ushqimit për dhjetëra miliona njerëz.

Somalia dhe Etiopia po përballen me krizën më të rëndë nga numri i madh i këtyre insekteve në 25 vjetët e fundit. Autoritetet kanë paralajmëruar se sasia e tyre mund të rritet deri në 500 herë deri në muajin qershor.