Aktuale

Pak pjesëmarrës në Graçanicë e Gazimestan, shënohen dy incidente

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy manifestimet tradicionale religjioze ortodokse të festës së ‘Vidovdanit’, në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, kanë përfunduar pa ndonjë incident.

Kurse, gjatë kthimit të eskortës e cila ishte në përcjellje të Policisë, në fshatin Lisicë të Mitrovicës në jug është hedhur koktej molotovi, përderisa nuk është raportuar për ndonjë dëm material apo lëndime në njerëz.

Njësitet relevante policore kanë dalë në lokacion dhe po hetojnë rastin.

Një informacion tjetër, po ashtu është pranuar se ka pasur gjuajtje me gur në drejtim të një furgoni, i cili nuk ishte në përcjellje të Policisë, përderisa dy persona kanë kërkuar ndihmë në spitalin e Mitrovicës në veri.

Policia e Kosovës edhe në këtë rast është duke ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore.

Sipas vlerësimeve në teren në këto manifestime morën pjesë prej 1300-1500 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, për festimet e tyre.

“Rreth orës 09:00, manife stimi ka filluar në Graçanicë, ku kanë marrë pjesë rreth 900 pjesëmarrës, përderisa Policia është përkujdesur për mbarëvajtjen e tij pa incidente si dhe duke mundësuar qarkullimin e trafikut duke ri-drejtuar automjetet në rrugë alternative. Rreth orës 13:00, ka filluar edhe manifestimi tek monumenti i Gazimestanit, ku kanë marrë pjesë prej 1.300 – 1.500 pjesëmarrës, ku edhe në këtë lokacion njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit si dhe rregullimin-orientimin e komunikacionit rrugor”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.

Gjatë zhvillimit të të gjitha aktiviteteve manifestuese sa i përket aspektit të rendit dhe sigurisë së përgjithshme në mbarëvajtjen e këtyre manifestimeve deri në përfundim të tyre, në këto dy lokacione çdo gjë ka shkuar sipas planit të paraparë operativ dhe nuk është shënuar asnjë incident, përderisa pas përfundimit, rreth orës 13:45 pjesëmarrësit kanà « filluar të shpërndahen ngadalë ashtu siç edhe kishin ardhur në mënyrë të qetë./KosovaPress/