ShowBiz

Pahor në telefon me Trump dhe Melani që e kishte kolege kur ishte maneken

Presidenti slloven, Borut Pahor, ka folur në telefon me presidentin e posazgjedhur të SHBA, Donald Trump, si dhe me gruan e tij Melania Trump, e lindur në Slloveni, dhe i ftoi ata për të vizituar Slloveninë.

Siç thuhet në njoftimin e kabinetit të Presidentit të Sllovenisë, Pahor dje në një bisedë telefonike shprehu dëshirën për të krijuar një “marrëdhënie të ngushtë personale” midis administratës së re amerikane dhe Sllovenisë, transmeton agjensia kroate Hina, përcjellë Express.

Njoftohet po ashtu se Pahor uroi Trump për fitoren në zgjedhje dhe e ftoi atë të vizitojë Slloveninë. Nga ana e tij, shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë i kërkoi Pahor që të përcjellë urimet më të mira për popullin slloven.

Deklarata vë në dukje se Pahor kishte një “bisedë të përzemërt” me gruan e Trump dhe zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, ku në emrin tij dhe në emër të gruas së tij Tanja i uroi gjithë të mirat dhe shumë suksese.

Agjensia kroate thekson se Presidenti slloven edhe vetë në rininë e tij, ashtu si edhe gruaja e Trump, ishte marrë me manekenizëm, me të cilin kishte plotësuar buxhetin studentor, por herët filloj të “notoj” në ujërat politike.

Pahor konsiderohet si një nga politikanët më popullorë slloven, por edhe një nga ata më me përvojë, edhe pse vetëm shtatë vjet më i vjetër se Melania Trump, thekson Hina.

Pahor deri tani ka qenë kryetari i Kuvendit, Kryeministër, ndërsa tani është në vitin e katërt të mandatit të parë presidencial.