Aktuale

Pacolli tregon se kur Kosova do të hapë ambasadën në Japoni e Kolumbi

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka treguar të enjten se Kosova është duke u munduar dhe po angazhohet që të hapë një ambasadë në Japoni dhe Kolumbi.

Shefi i diplomacisë kosovare bëri këto deklarata deri sa raportonte para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të Kuvendit të Kosovës.

Ai njoftoi se që nga janari i vitit të ardhshëm Kosova do të hapë ambasadën në Japoni.

“Unë kam pasur një vizitë në Japoni dhe jam takuar me ministrin e Jashtëm atje ku kemi rënë dakord qe Kosova të hapë ambasadën e saj në Japoni. Jam i lumtur që prej janarit të vitit të ardhshëm ne do ta hapim ambasadën tonë në Japoni”, ka thënë Pacolli.

Tutje, ai ka treguar se është takuar edhe me homologun e tij kolumbian dhe se edhe me atë kanë qenë të pajtimit për dekretimin e një ambasadori kosovar në Kolumbi.

“Gjatë takimeve që kam pasur gjatë këtyre katër muajve jam takuar me homologun tim nga Kolumbia gjatë takimit ata janë shprehur se janë të gatshëm të dekretojnë ambasadorin tonë dhe ne kemi kërkuat hapjen e ambasadës në Kolumbi. Hapja e ambasadës në Kolumbi është mire për shkak të marrëdhënieve diplomatike me ne”, ka thënë ai.

Kujtojmë se ditë më parë zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli bëri të ditur se edhe Japonia do hapë ambasadë vitin që vjen në Prishtinë, duke e quajtur këtë si lajm të jashtëzakonshëm./FaktePlus