Aktuale

Pacolli: Të rinjtë do të jenë target i kompanive evropiane

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera do të zhvendosen në periferi të kryeqytetit, në mënyrë që Prishtina të ketë hapësira të mjaftueshme për qytetarët e saj, përkatësisht për të rinjtë të cilët do të jenë target i kompanive evropiane.

Kështu ka thënë kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli në një konferencë për media. Sipas tij, për të realizuar këtë premtim nuk do të harxhohet buxheti i vendit.

Ai tha se me zhvendosjen e institucioneve në periferi të kryeqytetit do të zvogëlohet edhe numri i atyre që hyjnë dhe dalin çdo ditë në Prishtinë, duke mundësuar lëvizje të lirë për prishtinasit, dhe për këtë ka ftuar edhe Qeverinë e Kosovës që t’i bashkohen kësaj iniciative.

“Sot jemi këtu për t’iu bë me dije Qeverisë së Kosovës dhe administratës qendrore të Kosovës, se iniciativa jonë është zhvendosja fillestare e qeverisë së Kosovës me kusht që ne t’iu lejojmë kushte qytetarëve të Prishtinës dhe të rinjve të saj që të jenë pikërisht gjeneratat e reja, të cilët duhet ta shfrytëzojnë qytetin e Prishtinës dhe administratën e saj. Koncepti ynë politik dhe programi im për Prishtinën është që të fillojmë pikërisht nga kjo, pikërisht nga hapësirat e Qeverisë së Kosovës, ngase në këto hapësira numërohet afër 25 mijë deri në 30 mijë persona, të cilët hyjnë dhe dalin në Prishtinë, dhe jam i sigurt që ata nuk i kontribuojnë direkt qytetarëve të Prishtinës, mirëpo shërbehen për qytetarët e Kosovës, andaj ne jemi zotuar që atyre të iu ofrojmë hapësira në periferi të Prishtinës”, tha Pacolli.

Ndërkaq, hapësirat që janë shfrytëzuar deri më tash nga Qeveria dhe administratat, Pacolli thotë se do të jenë vende ku të rinjtë e Prishtinës do të kenë mundësinë të punojnë për kompanitë evropiane.

“Rinia e Prishtinës duhet të jetë target i të gjithë kompanive të mëdha evropiane, jo të rinjtë tonë të kenë synime Evropën, ne do ta bëjmë të kundërtën, duhet të jenë ata të cilët do të jenë target i të gjitha kompanive evropiane. Pikërisht këta janë të rinjtë e Prishtinës, mundësit e tyre”, ka thënë ai.

Kandidati i AKR-së për të parin e Prishtinës tha se nuk është njeri që premton, por që vepron dhe sipas tij, kjo e bën të jetë ndryshe nga kandidatët tjerë për zgjedhjet e 22 tetorit./KP