Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, ka njoftuar zyrtarisht se partia e tij, tashmë ka ndarë rrugët me LDK-në dhe Alternativën me të cilat kishte lidhur koalicionin parazgjedhor.
Ai këtë e ka bërë të ditur pas takimit që kishte me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafës, duke thënë se nga sot tash rrugët me LDK-në janë të ndara.
Pacolli ka paralajmëruar edhe një takim me të nominuarin për kryeministër nga PAN-i Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme.
‘” Normalisht ne i kemi kryer gjitha obligimet kontraktuale deri tash. Tash rrugët tona ndahen . Ne kemi pak deputet. Deputete tentojnë me krijuar një grup parlamentar dhe me funksionuar në parlament si të pavarur. Ne jemi parti liberale dhe asgjë nuk kemi pasur tjetër në kontratë , gjitha pikat janë përkryer si duhet . Tani ne do të funksionojmë si të pavarur. “, tha Pacolli.
Kreu i AKR-së nuk ka përjahtuar mundësinë e përfshirjes së AKR-së në Qeverinë e ardhshme.
“Unë nuk jam mandatar i Qeverisë. Unë sot nuk di fare . Nuk e di kur do të fillojnë tratativat, çka do të diskutohet çka do arrihet nuk e di, por sigurisht që unë edhe më tutje do të veproj në interes të vendit do të veproj në interes të qytetarëve të Kosovës. Këtë jam shumë i qartë kur e them dhe i vetëdijshëm se mundemi me bërë ndryshimin edhe në këtë Qeveri edhe nuk është e thënë që ne mos të jemi pjesë e Qeverisë të tashme. Unë kam pasur një takim me zotin Hardinaj, kam pasur ndërrim të mesazheve të rëndomta , por ne kemi sot takime me ta.”, tha Pacolli.
I pyetur nëse partia e koalicionit të deritanishëm, Alternativa do t’i bashkohet vendimit të AKR-së, Pacolli tha se nuk është në dijeni për këtë çështje dhe se është i hapur për secilin vendim.
“Nuk e di, Alternativa është parti e regjistruar sigurisht edhe ata janë liberal. Kemi një doktrinë të përbashkët . Nëse ata konsiderojnë se mundemi të bashkëpunojmë bashkë janë aty. Nëse konsiderojnë që nuk mundemi ne do të veprojmë ndarazi. Ne nuk kemi më asnjë obligim as moral as material me askënd , ne jemi tani të lirë që të veprojmë politikisht. Ne nuk kemi vendosur deri sot absolutisht nuk kemi vendos çka do të bëjmë . Sigurisht prej këtij momenti ne do të vendosim vetë. Çdo moment , mund me krijuar situata të reja. Por siç e patë ne nuk kemi pasur asnjë arsye që të ndahemi me të keq me LDK-në . Ne ishim në një drekë pune dhe u kënaqëm. Konsideruam që të gjitha obligimet janë kryer dhe ne tani veprojmë ndaras. “, tha Pacolli.
Këto deklarata, Pacolli i bëri para gazetarëve, pas takimit që zhvilloi sot me kreun e LDK-së Isa Mustafa.