Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij në Afrikë ka takuar presidentin e Guinea Bissau, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit të Kosovës në të gjitha fazat që ka kaluar.
“Në takimin bilateral që zhvillova me presidentin e Guinesë Bissau, z.Jose Mario Vaz, folëm për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona. Presidentit Vaz i shpreha falënderimet e mëdha të popullit të Kosovës për mbështetjen e tyre në secilën fazë të avancimit të shtetit tonë”, ka thënë Pacolli.
Kreu i diplomacisë kosovare ka shtuar se Kosova është e interesuar që të thellojë marrëdhëniet me Guinea Bissaun.
“Republika e Kosovës është e përkushtuar që të vendos dhe thellojë marrëdhëniet diplomatike me çdo vend të botës andaj jam shumë i lumtur që ne këtë drejtim jemi në rrugë të drejtë. Propagandat e hedhura nga ndonjë fqinj i Kosovës në kurriz të qëndrimit të shtetit të Guinesë Bissau, nuk ishin fare pjesë e diskutimit me presidentin Vaz, i cili pranoi me dëshirë ftesën për të vizituar Kosovën”, ka theksuar Pacolli./FaktePlus