Aktuale

Pacolli takon Palmerin, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në kuadër të Forumit të Bledit, ka takuar të dërguarin e posaçëm të State Departamentit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.

Me të dërguarin e posaçëm amerikan, Pacolli tha se ka biseduar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mbylljen e kapitullit të errët mes dy vendeve.

“Sot, në margjinat e Forumit të Bled-it, pata një takim me të Dërguarin te Posaçëm Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Unë e përgëzova z. Palmer për emërimin e tij dhe si një mik i vjetër i Kosovës në këtë pozicion të ri, do të vazhdojë të na mbështesë në të gjitha nivelet. Ne e shohim dialogun si një proces të rëndësishëm që ka një mundësi për të mbyllur kapitullin e errët midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Pacolli, raporton FaktePlus.

Kryediplomati kosovar ka shtuar se Kosova e ShBA mund të llogarisin në njëra tjetrën si partnere të besueshme.

“Normalizimi i marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë është qëllimi i vetëm, asgjë me pak, dhe vlerësojmë pozicionin e fuqishëm të Uashingtonit për ketë synim. Kosova mund të llogarisë si gjithmonë në ShBA, por edhe ShBA duhet të llogarisë tek ne, si partnerë të përkushtuar dhe të besueshëm”, është shprehur ai. /FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli