Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur në një takim drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson.
Siç njofton Zyra e Pacollit, në kuadër të këtij takimi është diskutuar në lidhje me liberalizimin e vizave, avancimin e agjendës evropiane për Kosovën, respektivisht reformat e kërkuara në nivel nacional, si dhe bashkëpunimin rajonal në kuadër të Hapësirës Rajonale Ekonomike.
Në lidhje me përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, Pacolli ka theksuar se “qytetarët e Republikës së Kosovës, që duan lëvizjen e lirë nuk kanë lidhje me demarkacionin”, duke shprehur përkushtimin se “do të bëhet gjithçka që do të jetë e mundur, që liberalizimi i vizave të mundësohet”.
Në vijim të këtij takimi, Pacolli e ka njoftuar mysafirin nga Komisioni Evropian edhe me prioritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke vlerësuar se “qeveria dinamike e kryeministrit Haradinaj, ka përkushtim të plotë për bashkëpunim rajonal, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik sipas një modeli të ri zhvillimi me fokus bujqësinë dhe që synon nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës”.
Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Danielsson ofroi mbështetjen e tij të plotë për këto objektiva, duke përsëritur se kriteret e mbetura duhet të plotësohen. Ai, më tutje kërkoi që Kosova të jetë mbështetëse e idesë së Hapësirës Rajonale Ekonomike, nga e cila të gjithë mund të përfitojë./KosovaPress/