Aktuale

Pacolli: Me programin e AKR-së do ketë 8% rritje ekonomike

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, sot ka zhvilluar disa takime në Pejë. Mes tyre edhe një takim me përfaqësuesit e bizneseve, zejtarëve, fermerëve, bujqve dhe afaristëve të tjerë, ku Pacolli kritikoi institucionet se nuk kanë punuar për të mirën e qytetarëve si dhe shpalosi programin e AKR-së.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, sot ka zhvilluar disa takime në Pejë. Mes tyre edhe një takim me përfaqësuesit e bizneseve, zejtarëve, fermerëve, bujqve dhe afaristëve të tjerë, ku Pacolli kritikoi institucionet se nuk kanë punuar për të mirën e qytetarëve si dhe shpalosi programin e AKR-së.

Pacolli, duke shpalosur programin e AKR-së, tha se nëse partia që ai udhëheqë vjen në pushtet, atëherë numri i punëtorëve të administratës do të zvogëlohet për 60%, meqë sipas tij administrata publike në komuna edhe në qendër është e stërngarkuar dhe sipas tij efikasiteti i punës është diku 4%.

Po ashtu Pacolli tha se nëse AKR-ja vie në pushtet  Ligji i Prokurimit do të ndërrohet. Sipas tij zgjedhja e punëkryesve nuk do varet prej njerëzve fare, por në mënyrë të posaçme do të shikohet ana teknike. Sa u përket çmimeve, Pacolli tha se do nxjerrët çmimi mesatar i propozuar, meqë teoria e zgjedhjes së më të lirit në fakt po kushton shumë.

 

“Ne kemi reforma specifike në përkryerjen ose në trajtimin e lëndëve gjyqësore. Në Kosovë kemi 450 mijë lëndë gjyqësore që janë atje në rafte, janë pluhurosur. Dhe askush nuk e din se kur do t’iu vije rendi atyre, se çka është fati i tyre. Ne do t’i trajtojmë krejt deri në fund. Por si? Ne edhe sallat e sporteve do t’i kthejmë në vende pune, në ëorkshope për njerëzit që do t’i trajtojnë ato lëndë. Do t’i marrim krejt studentët e drejtësisë, që kanë studiuar Drejtësinë edhe bredhin rrugëve, do t’i trajtojmë ata, do t’u japim një tavolinë, dhe do t’i trajtojnë ato lëndë. Çdo 20 tavolina do të ketë një gjykatës, që do t’i asistojë ata dhe këto lëndë do të kryhen. Ne besojmë se në mandatin e parë dhe në gjysmën e mandatit të dytë, do t’i heqim tërë këto lëndë,” tha ai.

Sa i përket anës ekonomike Pacolli tha se programi i AKR-së është 100% ekonomik.

 

“Sipas programit tonë i cili do të implementohet qind për qind në mbarimin e dytë të qeverisjes së AAK-së, ne do të arrijmë rritje ekonomike prej 8%. Rritja ekonomike 8% krijon mundësi punësimi diku në mënyrë evolutive diku 50-50 mijë vende pune çdo vit. Por unë po e përsëris, është bërë avaz, në AKR atë idenë tanë në krijimin e hallkave zinxhirore do të thotë në agroekonomike. Ne do të krijojmë tri platforma agroekonomike. I kemi financat ne. E dimë kush janë donatorët. E dimë kah i marrim kreditë e lira për këtë. Një në Dukagjin, një në rrafshin e Kosovës dhe një në Anamoravë. Do të jenë platforma që do të angazhojnë diku rreth 60-70 mijë njerëz të punësuar drejt për së drejti dhe indirekt,” tha ai.

Pacolli gjithashtu tha se shkollimi do të jetë pa pagese për të gjithë dhe do ketë vend për të gjithë në universitetet publike.

Ai po ashtu shprehu shqetësimin e tij rreth gurëthyesve dhe dëmtin që i shkaktohet ambientit.

 

“Jam shumë i shqetësuar për këtë situatë. Ne sot kemi një ambient, një Kosovë të vogël 10 mijë metra katrorë, dhe nëse shkoni e shihni nga lartë do ta vëreni që nuk ka majë mali që nuk është ataku prej uzurpatorëve, prej njerëzve, prej shfrytëzuesve. Ata të ashtuquajturit gurëthyes, zgafellet që janë bërë. Shikoni a shihni diku nëpër Kosovë që është bërë një shtrat lumi, dhe lumi kalon edhe kur ka vërshime, nuk ka problem uji kalon, shkon ashtu siç duhet. Nuk ndodhë ajo. Krejt shtretërit e lumenjve janë shkatërruar sot”, tha ai.

Ali Durmishi, një ndër afaristet  e pranishëm në takim, tha është bërë pjesë e AKR-së që në fillim dhe shprehu bindjen se Pacolli nuk do ta zhgënjente.

 

“Unë nuk jam biznesmen, jam ndërtimtar. Por me ja arrit qëllimit aty ku po thotë kryetari, ne duhet me punuar ne tjerët. Qysh me punuar? Duhet me shkuar në çdo shtëpi edhe me ju tregu programin e AKR-së edhe me ju tregu të vërtetën. E cila është e vërteta. Unë jam i bindur 200% që zoti Pacolli nuk do t’na zhgënjen”, tha ai.

Mes tjerash Pacolli po ashtu shprehu bindjen se fillimi i kësaj vere nuk do të jetë i rëndomtë meqë sipas tij para zgjedhjeve lokale këtë vit do ketë zgjedhje parlamentare, raporton KosovaPress./KP