Aleanca Kosova e Re (AKR), sot mbajti Kuvendin e Katërt Zgjedhor të Forumit të Gruas, ku me këtë rast Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se gruaja çdoherë ka pasur rol të veçantë dhe është cilësuar si nder dhe krenari, andaj sipas tij AKR nuk mund të paramendojë zhvillimin e nesërm pa praninë e saj.
Pacolli, gjithashtu theksoi se e sotmja jonë nuk është ajo që e kemi ëndërruar as ne as ata që ranë për liri, andaj sipas tij, edhe pas nëntë vitesh të shpalljes së pavarësisë së Kosovës vazhdon të qëndrojë dobët ekonomikisht, pavarësisht asaj se ekonomia është çelësi i mirëqenies.
“Në historinë tonë të vjetër dhe të re, femra ka pasur rolin e veçantë të zhvillimit të jetës, ky rol sidomos është përmbledhur dhe mishëruar në statusin e femrës si nënë dhe motër dhe si e tillë ajo në të shumtën e rasteve ka qenë jo vetëm shtyllë e mbarëvajtjes së familjes, por edhe nderi dhe krenaria e saj. Për AKR-në dhe mua si lider i saj, as zhvillimi ynë i nesërm nuk mund të paramendohet dhe as të planifikohet pa pjesëmarrjen e juaj, nëna dhe motra. E sotmja jonë nuk është ajo që kemi ëndërruar se do të jetë derisa nuk ishim të lirë, nuk është ajo që kanë ëndërruar ata që kanë rënë për liri dhe atyre që kanë mbet gjallë. Në saje të sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve që janë marrë me politikë, sidomos pas përfundimit të luftës, ne sot jemi në një gjendje të mjerueshme, të mos them edhe më keq, si në kohën e robërisë. Nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, shteti ynë, Repub lika e Kosovës nuk po ia del të merr veten ekonomikisht dhe e dini mirë se ekonomia është çelësi i mirëqenies”, tha Pacolli.
Ndërsa, koordinatorja e Forumit të Gruas në nivel qendror, Mirlindë Gashi tha se vetë prania e gruas në këtë kuvend dëshmon vendosmërinë e gruas liberale dhe se gruaja do të jetë pjesë e vendimmarrjes në procese të rëndësishme për vendin, sepse sipas saj drejtimi dhe menaxhimi i vendit nuk është monopol i askujt.
“Prania jonë këtu dëshmon fuqishëm vendosmërinë e gruas liberale të Kosovës, që të jetë jo vetëm aktive, por edhe vendimmarrëse në procese të rëndësishme për vendin. Drejtimi dhe menaxhimi me jetën shoqërore, politike dhe ekonomike në vend nuk është monopol i askujt dhe ne gratë kemi të drejtën tonë legjitime të garantuar me kushtetutë të këtij vendi që të jemi gjithashtu përcaktuese për avancuar zhvillimet, që do të ndodhin në vendin tonë, këtë e kemi obligim edhe para familjeve tona gjithashtu”, tha Gashi.
Partia Aleanca Kosova e Re ka filluar konsolidimin e saj në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm kaq, lideri i saj ka organizuar debate të ndryshme me qytetarët e shumë komunave nëpër vend. /KP/
