Kandidati i AKR-së për Prishtinën, Selim Pacolli sot ka shpalosur programin e tij para elektoratit të tij në Gërmi, me ç’rast ka premtuar zhvillim të kësaj zone rekreative për qytetarët e Prishtinës, me transport ekologjik.
Ai ka premtuar se në këtë mënyrë do t’i kthehet jeta në ajër të pastër çdo qytetari të kryeqytetit, ndërsa është zotuar se pishina e Gërmisë do të jetë qendër atraktive për të gjitha stinët e vitit, duke u përdorur për patinazh gjatë dimrit.
E në mesin e premtimeve të tij, pretendenti për të parin e Prishtinës ka premtuar se pishinën e Gërmisë gjatë stinës së dimrit do ta kthejë në qendër patinazhi. Ndërsa ka premtuar edh funksionalizimin e teleferikut që për disa vite qëndron vetëm figurativisht aty.
Pretendenti për të parin e Prishtinës është zotuar se do të sjellë edhe një ambulantë mobile në Gërmi, në mënyrë në rast nevoje qytetarët të kenë mundësi të marrin shërbimet shëndetësore.
Pacolli: Pishinën e Gërmisë do ta shfrytëzojmë për patinazh gjatë dimrit
“Një ambulancë mobile është mëse e domosdoshme dhe do të jetë çdo herë këtu dhe çdo ditë do të kujdestaroj. Kemi çështjen e pishinës së Gërmisë. Ajo shfrytëzohet vetëm 90 ditë gjatë sezonit vjetor. Ne parashohim që të mos shkarkohet uji, uji është i kushtueshëm dhe i nevojshëm, kështu ajo të jetë funksionale gjatë gjithë sezonit kështu që gjatë stinës së dimrit të shndërrohet në patinazh, gjë që është e mundur dhe do të ishte i mirëseardhur për qytetarët e Prishtinës. Tjetra, ne kemi sipër nesh ndodhsha në vitet shumë më herët që është mundësuar një skilift, një teleferik që ai mund të funksionalizohet me një investim minimal”, ka thënë ai.
Përmes zbatimit të planit të tij për kryeqytetin, Pacolli ka shprehur bindjen e tij të plotë, se Parkun e Gërmisë do ta fus në qendër të Prishtinës.
Një gjë të tillë ai pretendon ta bëjë duke zhvendosur administratën lokale në periferi dhe duke i dhënë një tjetër version ndërtimeve në kryeqytet, premtime këto që i ka bërë disa ditë më parë.
Pacolli: Parku i Gërmisë do të futet në mes të qytetit
“Në planprogramin tonë parashihet që Parku i Gërmisë të futet në mes të qytetit, mirëpo ajo është platformë tjetër me të cilën pretendojmë të mundësohet zhvillimi i qytetit, të largohet prej saj, të shkojë në periferi dhe tjetra që Parku i Gërmisë do të duhej t’i bashkëngjitej turizmit rural të Malësisë së Gollakut”, ka thënë ai.
Krejt në fund, Pacolli është zotuar se do të ofrojnë siguri në Parkun e Gërmisë duke bërë që qytetarët aty të ndjehen të sigurt pavarësisht kohës se kur ndodhen aty, në mëngjesin e hershëm apo orët e vona të mbrëmjeve