Aktuale

Pacolli: PDK-ja e sotme është vijë e kuqe për AKR-në

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha sot se do të bëjë koalicion vetëm me njerëz të ‘të pastër si loti’.

Pacolli e tha këtë deklaratë gjatë një takimi me dy partnerë nga Aleanca e Liberal Demokratëve Evropianë( ALDE)  pas së cilit e kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për media.

Sipas kreut të AKR-së ai do të bashkëpunojë me njerëz të denjë që janë duke kontribuar për Kosovën e jo me parti  sikurse Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas Pacollit e ka ngulfatur  punën  dhe idetë e partisë së tij.

 

“Unë do të bëj koalicion vetëm me njerëz të denjë, me njerëz që e dojnë Kosovën, me njerëz që punojnë për Kosovën, me njerëz që janë të pastër si loti, e ata njerëz janë të shumtë në Kosovë dhe me ata do të bëj…Ne kemi disa vija të kuqe për ato parti të cilat e kanë ngulfatur punën e AKR-së, i kanë ngulfatur idetë e AKR-së. Ne kemi ardhur me plot dashuri, me plot ide, me plot vullnet që t’i kontribuojmë vendit dhe ato që kanë ngulfatur AKR-në nuk do të jenë partnerë të AKR-së. PDK-ja e sotme kështu si është, është njëra ndër potencialet më të mëdha që të ketë vija të kuqe me ne”, tha Pacolli.

Në këtë konferencë Pacolli ka treguar edhe për injorimin që i është bërë nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili sipas kreut të AKR-së asnjëherë nuk iu është përgjigjur kërkesave të tij  për lirimin e disa fabrikave në mënyrë që të krijojnë marrëdhënie ekonomike me investitorë potencialë.

 

“Edhe në këtë mandat ku jemi jashtë skenës politike kemi bërë disa tentativa, ju mundeni me pyet kryeministrin e Kosovës, ai është aty edhe jam shumë i hidhëruar që asnjëherë nuk ka marr mundin me kthye një letër. Iu kam lut që të na i lirojë disa fabrika që sot mbahen peng, mbahen bosh, të na i lëshojë dhe ne të krijojmë marrëdhënie ekonomike me investitorët që çdo ditë vijnë në Kosovë dhe çdo ditë kthehen të dëshpëruar nga Kosova. Është momentumi për Kosovën , atëherë kur fuqia punëtorë kushton në Perëndim  shumë shtrenjtë dhe hapet një mundësi në Kosovë, por njerëzit në pushtet nuk kanë as kreativitet as ide, as nuk kanë ndjenja për qytetarin”, tha Pacolli.

Pacolli tha se me dy mysafirët e tij evropianë kanë biseduar për perspektivën e të rinjve të Kosovës dhe qarkullimin e tyre të lirë nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Kurse, për takimin me dy anëtarët partnerë nga ALDE, Ilhan Kyuchyuk deputet në Parlamentin Evropian si dhe Roman Jakiws ish-kryenegociator i bisedimeve për anëtarësimin e Sllovenisë në BE, tha se  temat për të cilat diskutuan ishin perspektiva për të rinjtë e Kosovës dhe qarkullimi i lirshëm në Bashkësinë Evropiane.

Pacolli tha se Qeveria nuk ka krijuar asnjë perspektivë për të rinjtë ndërsa partia e tij po të vinte në pushtet do të hapte 60-70 mijë vende të reja të punës në vit.

Ilhan Kyuchyuk deputet në Parlamentin Evropian, tha se janë në Kosovë për t’i dhënë mbështetje  Pacollit për angazhimin  e tij për Kosovën si dhe konfirmoi se e mbështesin liberalizimin e vizave.

 

“Ne jemi këtu për të mbështetur shtetin. Ne e kemi mbështetur liberalizimin e vizave, si një pari, si një grup, si përfaqësues të grupit. Dhe kjo është e rëndësishme për të gjithë regjionin”, tha Kyuchyuk.

Roman Jakiws, tha se janë krenarë që AKR-ja është anëtare e partisë ALDE.

 

“Besoj që sot kemi dëgjuar ide të mira. Presidenti Pacolli theksoi nevojën për progress, nevojën për të krijuar një ambient ku të rinjtë do ta shohin të ardhmen në këtë shtet dhe do ta shohin të ardhmen në regjion dhe në Evropë. Kështu që me faktin se rinia e partisë së fundmi është angazhuar për të punuar me rinine e ALDE”, tha Jakiws.

Në këtë takim u tha edhe se AKR do të mbajë kongresin e saj në javën e parë të dhjetorit me 36 degë,  800 nëndegë dhe 45 mijë njerëz të angazhuar në forume dhe në qarqe tjera të AKR-së./KP