Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli ka deklaruar se gjatë mandatit të tij qeverisës Pallatin e Rinisë dhe Pallatin e ish-shtypit do ta kthej në shërbim të të rinjve të kryeqytetit.
Pacolli pretendon që t’i vendosë të rinjtë e kryeqytetit në objektet e Pallatit të Rinisë dhe të shtypit, duke iu ofruar atyre mundësi për zhvillimin e tyre në fushën e teknologjisë informative.
Ai po ashtu tha se të rinjve duhet t’u ofrohen një adresë dhe hapësirë e duhur për t’i zhvilluar dijet e tyre.
“Në anën e majtë timen e kemi Pallatin e Rinisë i cili menaxhohet prej një institucioni i cili përkundër që mbledh taksat nga qytetarët, nga të rinjtë dhe nga sportistët e Kosovës, asnjë cent investimi nuk bëhet këtu….Ish pallati i shtypit i cili sipas parashikimeve të mija do të jetë ekskluzivisht në shërbim të rinjve të shtetit tonë, të Kosovës…dhe këtu ne pretendojmë që t’i instalojmë dhe t’i vendosim të rinjtë e kryeqytetit tonë që të kenë mundësi të zhvillimeve të tyre, inovacioneve dhe dijeve të tyre në fushën e teknologjisë informative por pse jo edhe në lëmit tjera të cilat do të ishin në atraksion për kompanitë më të mëdha botërore ku shumë herë e kam cekur dhe e kam thënë që pasuria më e madhe e kombit tonë janë të rinjtë që duhet t’i shfrytëzojmë si aset kombëtar në këtë formë ne atyre duhet të iu ofrojmë adresën e tyre, duhet të iu ofrojmë hapësirat e tyre ku mund t’i zhvillojnë dijet e veta”, tha ai.
Pretendeti për të parin e kryeqytetit, Selim Pacolli ka ofruar mbështetje maksimale për të rinjtë e kryeqytetit.
“Të rinjtë nuk kanë nevojë të shohin Evropën alternativë, por Evropa do t’i sheh si alternativë të rinjtë e Prishtinës dhe unë do ta bëjë këtë, e kam premtuar dhe sigurisht do të qëndroj prapa kësaj dhe do t’i ofroj të gjitha mundësitë dhe do t’i shfrytëzoj të gjitha kontaktet tona të cilat i kemi nëpër botë që të iu ofrojmë qasje të rinjve tanë….Do të ofroj mundësitë e mija maksimale që të shtrijmë dorën tek këta njerëz dhe mos t’i lëmë në mëshirën e fatit”, tha ai.
Tutje ai tha se për të rinjtë e Prishtinës do të kujdeset të krijojë vende të reja të punës duke i larguar ata nga kafiterit dhe nga pamundësitë për punësim.
Ndryshe, kandidati i AKR-së për Prishtinën, gjatë ditë së sotme do të zhvillojë takim edhe me studentët e Universitetit të Prishtinës për t’i dëgjuar problemet e tyre. /kp