Aleanca Kosova e Re (AKR) mbajti takim me qytetarë dhe struktura të partisë në Deçan. Me këtë rast i pari i kësaj partie, Behgjet Pacolli u shpreh se me qeverisjen e tij Kosova do të ketë rritje të dukshme ekonomike, duke e rritur atë deri në 8 përqind.
“Synimi ynë është mirëqenia e qytetarëve. Synimi ynë është trajtimi në mënyrë dinjitoze i qytetarëve. Synim i yni është të punojmë, ta kryejmë punën tonë me moral të lartë dhe të jemi në funksion të zhvillimit të vendit, ku do të ofrohet një jetë më e mirë për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim AKR-ja ka programin e vet, siç e dini, ka program krejtësisht ekonomik. Me programet tona ne do të arrijmë rritje ekonomike 8 përqind minimum. Kjo do të thotë krijimi i mundësive për punësim me rreth 60-70 mijë vende pune”, tha ai.
Pacolli tha se më 11 qershor është obligim jetësor i secilit qytetarë që të votojë për subjektin që secili e zgjedh në bazë të parimeve të veta. Siç tha ai, AKR-ja do të investojë në infrastrukturë, arsim si dhe do të fokustohet në hapjen e diapazonit për tregun, duke formuar tregun mbarëshqiptar.
“Në këtë qeverisje bashkë me LDK-në”, vijoi ai dhe shtoi se kanw parapara rregullime të marrëdhënieve tatimore. Ai për këtë çështje tha se duhet të rregullohet politika ekonomike për importin dhe eksportin, për të liruar veprimtarinë ekonomike vendore në Kosovë nga disa tatime, që sipas tij, nuk kanë kuptim.
“Funksionimi i Trepçës, implementimi i PPP-ve si dhe shndërrimi i Agjencionit të Privatizimit në Agjencion Participimi”, tha Pacolli dhe vlerësoi se janë ndër pikat kyçe të programit që ata kanë hartuar dhe se janë një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik. Për të parin e AKR-së, mënyra e punës nëpërmjet partneriteteve publiko-private është metoda, e cila do të aplikohet për minierat dhe tokat djerrina.
“Ne do ta funksionalizojmë Trepçën dhe të gjitha minierat tjera me formën tonë, me formën e participimeve, ku ne participojmë me licenca. Ne nuk do ta tjetërsojmë asnjëherë asnjë minierë, por ne do t’i japim investitorëve të drejtë që praktikisht të vijnë dhe të funsionalizojnë minierat, t’i shfrytëzojnë ato për 25 vjet. Në fund të fundit minierat janë tonat dhe aty punojnë njerëzit tanë dhe taksat paguhen ndaj shtetit tonë”, u shpreh Pacolli.
Ai theksoi se do të themelojnë platforma agroekonomike, një në Dukagjin, një tjetër në rrafsh të Kosovës dhe një tjetër në Anamoravë. Sipas tij, platformat ekonomike do të shërbejnë shumë për ekonominë e vendit, pasi që ato janë një lidhje zinxhirore e prodhimit.
Ai për këtë tha se tokat e bujqve, të cilat tani nuk po punohen, do të do të punohen në të ardhmen dhe siç tha ai pronarët e këtyre tokave do të punësohen në tokat e veta. Më tej, Pacolli tha se me plotësimin e kushteve të punës dhe sigurimi i ligjit, do t’i sjellë investitorët e huaj në Kosovë pasi që siç tha ai, Kosova ka edhe një përparësi për të huajt, e sipas tij, ajo është fuqia e lirë punëtore.
I pari i AKR-së ftoi të rinjtë e Kosovës të punojnë sa më shumë pasi që sipas tij, në Kosovë do të krijohen kompani dhe do të ketë vende pune për ata të cilët tregohen të suksesshëm.
Ndryshe, në takimin e sotëm Pacolli prezantoi disa nga kandidatët e AKR-së për deputet në Kuvendin e Kosovës. Në mesin e këtyre emrave ishin ish deputetja Myzejene Selmani, Xevdet Krasniqi, Korab Sejdiu, Islam Pacolli, Besim Makolli, Anduena Reshitaj etj, raporton KosovaPress./kp