Aktuale

Pacolli: Ne dimë, mundemi dhe do e bëjmë ndryshimin realitet

Aleanca Kosova e Re (AKR) sot mbajti Kongresin e katërt zgjedhor, pas zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president të partisë.

Në këtë kongres përveç anëtarëve të AKR-së, mysafirë ishin edhe ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deputetja Donika Kadaj-Bujupi, deputeti i AAK-së, Ali Berisha, e të tjerë.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli theksoi se skamja është armiku më i madh i Kosovës, andaj edhe AKR ka programin e duhur, i cili është krijuar për të luftuar varfërinë. Ai pohoi se si liberal beson në një ardhme të ndritshme, dhe shtoi se liberal ishte edhe Presidenti Rugova, sepse ai çdoherë vepronte si liberal.

 

“Armiku më i madh i Kosovës është skamja, shumë herë ajo na pengon të jemi të lirë të ndihemi të lirë. AKR-ja është partia me program të duhur, me program të qartë, me program të ekzekutueshëm, i cili është krijuar, ndërtuar dhe përpunuar për të luftuar varfërinë. Liberal është një fjalë e thjeshtë, ajo është e mbështetur tek liria, barazia. Përkufizimi i liberalit është shumë i thjeshtë, një liberal është një burrë, një liberal është një grua, një liberal është një fëmijë që shikon vetëm përpara drejt një dite më të mirë dhe një nate të qetë. Një natë më të qetë dhe një ardhmëri më të ndritshme dhe të përjetshme. Liberal ishte edhe Presidenti Rugova, ai për shembull ishte burrë liberal i dëshmuar, ai jetonte si liberal, mendonte si liberal dhe vepronte si liberal dhe ajo që është me rëndësi, ai e thoshte gjithmonë atë që e mendonte, kështu e kanë liberalët”, tha Pacolli.

I pari i AKR-së, Behgjet Pacolli vazhdoi duke thënë se do të punohet me shumë vullnet për rininë dhe për Kosovën, sepse sipas tij në një mënyrë apo tjetër do të krijohet një perspektivë, mirëpo nuk do të lejojnë që të keqpërdoret besimi i tyre.

Ai theksoi se AKR dinë, mundet dhe do ta bëjë ndryshimin dhe kjo do të fillojë nga zbatimi i parimit liberal, një anëtarë një votë. Kjo u arrit me sukses sipas Pacollit, andaj edhe do të vazhdohet në të njëjtën mënyrë. Si dhe do të dyfishohen të hyrat e Kosovës dhe do të bëhet reformimi i administratës publike, duke e zëvendësuar me njerëz profesionistë.

 

“Do të punojmë me shumë vullnet, do të punojmë për arsye se kemi diçka të shenjtë, kemi rininë tonë. Prandaj ne do të punojmë për rininë tonë, do të punojmë për Kosovën, ku ne në një mënyrë ose tjetër do të krijojmë një perspektivë, por nuk do lejojmë që të keqpërdorin më besimin tonë. Ne dimë, ne mundemi, ne e bëjmë ndryshimin realitet, ne si besnik të filozofisë liberale zbatuam për herë të parë në historinë e partive në Kosovë parimin një anëtarë një votë. Jam krenar që jam zgjedhur me këtë parim, siç e keni kuptuar në këtë proces marrin pjesë 49 mijë persona, interesimi ishte shumë i madh. Ne do të shtrijmë zbatimin e këtij parimi edhe në zgjedhjet e kandidatëve për deputet, kryetar komunash, për forumet e ardhshme të AKR-së. Ne do të rrisim të hyrat buxhetore minimum dy herë në mandatin e parë dhe do të dyfishojmë të hyrat për kokë banori që tani janë 3 mijë e 300 euro, ato do t’i rrisim në 6 mijë e 500 euro, në mandatin e parë. Do të reformojmë administratën publike, në favor të kualitetit, duke reduktuar numrin e panevojshëm të saj dhe duke e zëvendësuar me profesionistë. AKR do të bëjë reformë në rishikim e ligjeve dhe akteve ligjore, në mënyrë që ato të jenë të kuptueshme dhe të jenë në shërbim të lehtësimit të jetës së qytetarit”, tha Pacolli

Ish-Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiç tha se për krijimin e Republikës së Kosovës dhanë jetën shumë dashamirës të saj, andaj edhe sipas tij ky vend duhet t’i jepet për ta drejtuar njeriu që di dhe e kupton ekonominë, në mënyrë që ta ndërtojë Kosovën. Mesiç kujtoi edhe një bisedë që kishte me ish presidentin e Serbisë, Slobodan Milosheviq, i cili i kishte thënë se shqiptarët kuptojnë vetëm përmes dhunës.

 

“Me formimin e këtij shteti dhe themeleve të këtij shteti, duhet t’ju them që shumë njerëz dhe shumë dëshmorë kanë ra për këtë Kosovë. Këto gjëra nuk duhet të harrohen, sepse kur erdha në Beograd si President i Jugosllavisë, të parën gjë që bëra, thashë ‘që duhet të gjithë ata që ishin të dënuar politikisht, ata duhet të lirohen menjëherë’. Ajo do të ishte një porosi për të gjithë shqiptarët, mirëpo Millosheviqi më tha atëherë, ‘ti nuk i njeh shqiptarët, se shqiptarët marrin vesh vetëm atëherë kur u bie me grushte hundëve’, e vërtet ju rrahu dhe shumë nëna kanë qarë. Mirëpo edhe iu kthye kjo atij, u bëtë shtet i pavarur i Republikës së Kosovës. Dëshiroj të ju falënderoj juve që dhatë çdo gjë për Republikën e Kosovës. Dëshiroj edhe këtë gjë ta them, se ju fituat luftën kundër atyre që ishin njëqind herë më të fortë se ju, pas kësaj që kaloi, ju duhet të bindeni që tash e tutje duhet të ndërtohet Kosova me njerëz që dinë dhe kuptojnë ekonominë”, tha Mesiq.

Ndërsa, presidenti i partive liberale të Evropës, (ALDE) Hans Van Baalen përmes një video mesazhi përshëndeti këtë kongres, duke thënë se është nder që ta mbështesin kongresin e AKR-së dhe shprehi gatishmërinë e tij për të ndihmuar atë në zhvillimin e partisë dhe Kosovës në përgjithësi.

 

“Është nder për neve të përshëndesim Kongresin e AKR-së dhe natyrisht liderin e saj Behgjet Pacollin. Ne liberalët nga ALDE do të luftojmë për Kosovën, për pavarësinë e saj të plotë dhe natyrisht për krijimin e saj si parti dhe me pjesëmarrjen tuaj për herë të parë si partia e parë nga Ballkani. Shpresojmë të vazhdoni në këtë mënyrë dhe të merrni pjesë në takimin tonë të ardhshme në Lubjanë në qershor dhe prapë ju uroj mirëseardhje, dhe shpresoj të keni një kongres të mirë, faleminderit shumë dhe le të punojmë bashkë”, tha Baale.

Gjithashtu edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama përshëndeti kongresin përmes një video mesazhi, ku edhe tha se ndjehet i lumtur që Pacolli vazhdon të përpiqet që të përdorë politikën për të ndryshuar pozitivisht vendin e tij. Ai shtoi se po të tërhiqej Pacolli nga politika, do të ishte një zhgënjim, sepse politika për këtë të fundit është një mundësi për t’u dhënë qytetarëve të Republikës së Kosovës një jetë më të mirë.

 

“Të uroj vëllazërisht çdo të mirë e çdo sukses. Dikush mund të thotë që ky mesazh ka një problem, sepse kryeministri i Shqipërisë nuk mund të marrë anë për një parti politike në Kosovë. Por jo, kjo nuk është vetëm marrje ane, kjo është shprehje e kënaqësisë time që një njeri si ti që nga politika, nuk ka çfarë të marrë veç bekimeve të njerëzve, vazhdon të përpiqet për t’i vënë politikës pasionin, dijen dhe eksperiencën e tij. Për mua Behgjeti është një shembull i bukur si pasion për të shërbyer dhe jo si fuqi për të rrëmbyer, i politikës si forcë për të bërë mirë, për të ndryshuar për mirë jetën e njerëzve në atdheun tonë të përbashkët. Kam menduar se pas zgjedhjeve të fundit, ti edhe mund të tërhiqeshe fare nga politika dhe nuk kam dashur që kjo të ndodhë, sepse do të ishte vërtet një humbje për Kosovën dhe poashtu do ta them edhe një zhgënjim për mua, ashtu siç të njoh, por jo, t i po vazhdon sepse politika për ty nuk është një karrige në parlament, apo në qeveri, po është një mundësi për t’u dhënë njerëzve tu një mundësi të re”, tha Rama.

Profesori Jahja Koka tha se themelimi i Qendrës Hulumtuese për Zhvillimin e Shkencës në Kosovë nga Pacolli, i ndihmon zhvillimit të Kosovës përmes shkencës dhe se kjo qendër do t’ia kthejë shkencën dhe buzëqeshjen Kosovës. Ndërsa, ish-luftëtarja e UÇK-së, Leonora Buqinca nga Zabeli i Drenasit, e cila tashmë jeton në Trieste të Italisë, tha se një familje nga Kosova i kishte rrëfyer se një njeri nga Kosova i kishte shpëtuar jetën asaj dhe familjes së saj dhe se kuptoi që ky njeri ishte Behgjet Pacolli./KP/