Presidenti Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka mbajtur sot një ligjëratë të hapur para studentëve të Kolegjit Globus, me ç’rast ka folur për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe të bërit biznes në vend.
I pari i AKR-së gjatë kësaj ligjërate ka treguar se cila është rruga më e mirë për të qenë i suksesshëm, duke rikujtuar fillet e tij gjatë kohës kur kishte filluar të merrej me biznes.
Pacolli ka folur edhe për konceptin e lumturisë në mënyrë motivuese për studentët dhe si duhet të perceptohet ajo.
“Dikush është i lumtur me pak, dikush është i lumtur me shumë, dikush me pak më shumë, krejt varet si ju e kuptoni realitetin, por lumturia është diçka që duhet ta kuptoni si një balanc, kandar, ai kandari klasik dhe në njërën anë është ajo moria e atyre gjërave, të cilat ju i kërkoni në jetë ose kërkoni nga jeta dhe në anën tjetër janë mundësitë. Nëse ju këtë kandar e balanconi dhe krijoni njëfarë marrëdhënie të njëjtë mes asaj që ju e kërkoni, kushteve dhe realitetit, atëherë ju jeni të lumtur. Unë besoj se këtë lumturi secili nga jush do ta gjen. Mos e humbni shpresën, shpresa vdes e fundit”, tha ai.
Presidenti i AKR-së, në aspektin ekonomik tha se në Kosovë pas luftës është thënë shumë dhe është bërë pak, duke e vlerësuar ecjen e ngadalshme ekonomike si katastrofale për kohën në të cilën jetojmë.
Pacolli ka treguar mënyrën se si ka vepruar për të qenë i suksesshëm, e cila sipas tij është shumë efektive drejt arritjes së suksesit.
“Unë fillimin e kam bërë absolutisht duke imituar tipin tim, që e kam identifikuar prej shumë njerëzve, duke e imituar atë në çdo detaj, edhe kur ka lëviz edhe kur ka ecë, edhe kur ka drejtuar makinën, edhe kur ka ngrënë edhe kur ka fol. Kam dashtë ta imitoj, por ai njeri ka qenë një njeri, tipi im ideal, të cilin e kam kopjuar dhe e kam parë se kam bërë mirë që e kam kopjuar dhe unë ju them juve që gjatë implementimit, gjegjësisht gjatë punës së juaj, gjeni një tip, diku një njeri me energji pozitive që ju e preferoni, që ju e dini se ai njeri është i suksesshëm dhe filloni të komunikoni me te, edhe nga distanca, fare nuk keni nevojë me qenë prezent aty afër dhe koncentroni energjinë e juaj tek ai. Do të shihni se do të kopjoni çdo gjë të bukur tek ai dhe do të interpretoni çdo gjë të atij njeriu”, tha ai.
Më tutje, biznesmeni i njohur tregoi edhe për kreativitetin, si çelës të shumë rrugëve dhe mënyrën se si duhet të përdoret ai.
“Kur jeni kreativ dhe vini tek një ide, shumë herë i keni treguar shokut tuaj për atë ide edhe ata kanë qeshë me ju, kanë thënë çfarë ideje është kjo?! Lëreni. Unë ju them se vazhdoni të krijoni në kokën e juaj ide dhe unë e quaj një ide si absurditet i mençur. Nuk është absurde vetëm, por shtojani edhe i mençur”, u shpreh ai.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka vazhduar më tej bashkëbisedimin me studentët e Kolegjit Globus, duke u përgjigjur në pyetjet e shumta të parashtruara nga të studentët e pranishëm në këtë ligjëratë, raporton KosovaPress.