Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka thënë numrit një të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, se “liberalizimi i vizave është hapi vendimtar, që duhet kryer tani sepse ndikon fuqishëm në perspektivën e të rinjve kosovarë, që janë të edukuar mirë, me mendje të hapur dhe për një Kosovë me frymë të re evropiane”.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e Lartë e BE-së-së, Mogherini, ka ndarë të njëjtin vlerësim për rininë dhe shoqërinë kosovare, duke theksuar se viti i dytë i mandatit të këtij Komisioni do të jetë vendimtar për integrimin evropian të rajonit, të Kosovës dhe pse jo për çështjen e liberalizimit të vizave në veçanti.
Në vazhdim të takimit është diskutuar edhe për fazën e re të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në lidhje me këtë çështje zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka ri-konfirmuar përkushtimin e Institucioneve të Kosovës për dialog, duke e konsideruar se është shumë e rëndësishme që të ketë një afatizim kohor, përderisa Mogherini, ka kërkuar zotim nga pala kosovare për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.
Perspektiva e përgjithshme evropiane e vendit tonë dhe vendeve të rajonit; përmbushja e reformave të brendshme të vendeve që synojnë anëtarësimin; fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal si ai i Procesit të Berlinit kanë qenë tema të tjera të zhvilluara në kuadër të këtij takimi.
Vizita e ministrit Pacolli, në Bruksel është e para që kur ai pranoi detyrën e tij zyrtare. Gjatë qëndrimit në Bruksel ai ka takuar edhe përfaqësuesit e tjerë të Lartë të BE-së nga Parlamenti Evropian, Komisioni si dhe ishte pritur në selinë qendrore të NATO-s nga zëvendës-Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller./KosovaPress/