Ministri i Jashtëm Pacolli ka udhëtuar për në SHBA, ku do të marrë pjesë në ministerialin e Koalicionit Global në Uashington D.C. dhe në Lutjet e Mëngjesit.
Zëvendëskryeministri i i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të marrë pjesë në takimin e ministerialit të shteteve anëtare të Koalicionit Global kundër DAESH, i cili do të mbahet më datën 6 dhe 7 shkurt në Uashington D.C, shkruan lajmi.net.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e kësaj ministrie, Pacolli merr pjesë në këtë takim me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Gjatë vizitës dhe qëndrimit në SHBA, Pacolli, do të marrë pjesë edhe në ceremoninë vjetore të Lutjeve të Mëngjesit, e cila do të mbahet më datën 8 shkurt.
Po ashtu bëhet e ditur se Pacolli pritet të zhvillojë takime të shumta me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, të cilët marrin pjesë në këto dy ngjarje. /Lajmi.net/