Aktuale

Pacolli: Kur vizitova NATO-n kalova vetëm si figurë, jo si përfaqësues shtetëror

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli në ditën e dytë të konferencës, “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, përmendi një përjetim që ka pasur gjatë kohës kur ka vizituar NATO-n.

Ai tha se u ndje i shqetësuar që ishte vetëm në cilësinë si figurë, por jo si përfaqësues shtetëror, raporton Ekonomia Online.“ Kur vizitova Brukselin në të njejtën ditë vizitova NATO-n. Isha i pranuar atje dhe mbeta pak i dëshpruar po kaloja si figurë jo si përfaqësues. Do të doja që një ditë që gjithë përfaqësuesit e Kosovës të jenë të përfaqësuar atje”, tha Pacolli.

Zëvendëskryeministri shprehi dëshirën që një ditë edhe flamuri i Kosovës të valoj në Qendrën e NATO-s.“ Sot në Kosovë valon flamuri i NATO-s dhe do të ishte e drejtë që edhe në qendrën e NATO-s të valojë flamuri i Kosovës. Kosova që 18 vite bashkëjeton me NATO. Kosova do të jetë një kontribuese e denjë e saj. Ajo është e gatshme të kontribuoj që tani”, tha Pacolli.Ai u shpreh se duhet përqendruar në të ardhmen dhe sfida e Kosovës është që të jetë anëtare e NATOS.“ Sot duhet të përqëndrohemi në të ardhmen dhe kjo sfidë është që Kosova të jetë shteti i ardhshëm anëtar i NATOS.

Ballkani Përendimor ka pasur ndryshime të shumta për shkak të luftërave dhe sot është hapësirë e paqes gjithnjë duke iu falenderuar miqve tanë. Jemi mirënjohës të palëkundur ndaj përendimorëve dhe SHBA-së. Mbetet detyrim i yni që ne së bashku të ndërtojmë ardhmërinë tonë që është Evropa e civilizuar”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës.

Pacolli ndër të tjera tha se Kosova duhet të ndjej vetën si NATO por duhet punuar që të jetë pjesë e pandashme e saj.“ Ne duhet ta ndjejmë vetën si Nato dhe duhet të punojmë si pjesë e pandashme e saj. Kosova është shtet multietnik”, tha ndër të tjera Pacolli.