Aktuale

Pacolli: Koalicioni LDK-AKR, nuk është koalicion i krimit

Rezidenca e Behgjet Pacollit të martën në mbrëmje priti mysafirë. Brenda dhomave luksoze për disa orë qëndruan zyrtarët më të lartë të LDK-së të prirë nga kryetari Isa Mustafa.

Ai së bashku me nikoqirin, kryetarin e AKR-së Behgjet Pacollin dhe bashkëpunëtorët e tyre nënshkruan marrëveshejn me anë së cilës së bashku do të garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Për të uruar këtë koalicion u hap edhe shampanjë, ndërsa dy liderët dhanë edhe nga një deklaratë për media. Që të dy u shprehën të bindur se më 12 qershor do të dalin fitues, ndërsa njëjtë u shpreh edhe kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së Avdullah Hoti.

Pacolli tha se me lidhjen e këtij koalicioni fiton e mira dhe parandalohet e keqja.

 

“Jam i bindur se fitorja është me ne. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet dhe me këtë fiton e mira, do të parandalohet e keqja. Kosova do të ndryshojë, do të vihet në binarë të duhur dhe do të ecë me një shpejtësi të përshpejtuar drejt perspektivës euroatlantike, drejt një perspektive për qytetarët e vet, për rininë e vet. Së bashku me LDK-në ne do të arrijmë ta implementojmë qindpërqind programin tonë që garanton rritje ekonomike mbi 8 përqind”, tha Pacolli.

Nuk do të ketë asnjë ditë pa rezultate, pasi sipas tij, ky koalicion nuk është koalicion i krimit. I pyetur për arsyet e nënshkrimit të marrëveshjes me LDK-në, për  të cilën kishte thënë se nuk do ta bënte, Pacolli tha se nuk i ka njohur mirë njerëzit e LDK-së, por që kur e ka parë programin, atëherë ka ndryshuar mendje.

 

“Ky është koalicion i dinjitetshëm, jo koalicion i dhunës, jo koalicion i grabitjes, jo koalicion io krimit, por një koalicion që i nevojitën tani Kosovës. Kërkoj që qytetarët ta mbështesin këtë koalicion…po kam thënë por në momentin që kam parë programin e LDK-së kam partë edhe njerëzit me të cilët do të punoj, atëherë nuk kamë asnjë dilemë…unë nuk i kam njohur, nuk janë njerëzit e njëjtë, janë njerëz që garantojnë punë të sinqertë, të dinjitetshëm, një është e sigurt jo krim, jo dhunë”, tha  Pacolli.

Ndërkohë që homologu i tij nga LDK-ja Isa Mustafa tha se arsye kryesore që kanë lidh sot një koalicion parazgjedhor është interesi i qytetarëve të Kosovës.

Mustafa me këtë rast ka bërë thirrje qytetarëve që këtë koalicion ta përkrahin edhe më 11 qershor, në mënyrë që programi qeverisës, që sipas Mustafës është programi i zhvillimit ekonomik, programi i mirëqenies, integrimeve evropiane dhe euroatlantike ta merr rrugën e vet në interes të qytetarëve të Kosovës.

 

“Nuk është një koalicion që është bërë për një ditë, ne kemi punuar gjatë dhe kemi studiuar gjatë të gjitha aspektet e bashkëpunimit, jemi bindur se mund të bashkëpunojmë, jemi bindur se mund të arrijmë rezultate dhe gjithë kjo ka kulmuar me nënshkrimin që kemi bërë sot dhe do të kulmojë nesër me një fitore të sigurt në zgjedhje dhe kjo nuk do të jetë fitore e jona por do të jetë fitore e qytetarëve të Republikës së Kosovës sepse ne nuk po e bëjmë këtë për vete por po e bëjmë që këtij vendi ti sjellim një perspektivë më të mirë”, tha Mustafa.

Ndërsa kandidati për kryeministër nga tashmë ky koalicion Avdullah Hoti tha se do të fitojnë mbi parimet e zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor dhe integrimeve euroatlantike.

 

Mbi parimet e zhvillimit ekonomik shteti ligjor dhe integrimeve euroatlantike. Këto janë parime që na udhëhiqen si parti e qendrës së djathë…është kaq e thjeshtë nëse duam ta shndërrojmë në një mesazh tek qytetarët e vendit. Rend, ligj, zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane. Unë jam me plot shpresë që me këto koalicione do të fitojmë shumicën në zgjedhjet e 11 qershorit…ne do të dalim koalicion fitues”, tha Hoti.

Ndryshe LDK-ja sot ka nënshkruar marrëveshje edhe me Alternativën që udhëhiqet nga ish-bashkëpunëtorja më e ngushtë e Behgjet Pacollit, Mimoza Kusari-Lilës si dhe me Lëvizjen për Drejtësi që udhëhiqet nga Sylejman Çerkezi./KosovaPress/