Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, nuk e ka përjashtuar mundësinë për të lidhur koalicion parazgjedhor me dy partitë opozitare, AAK-në dhe “Nismën”.
Ai në një konferencë për medie ka thënë se partia e tij do të hyjë në koalicion me të gjitha ato subjekte që punojnë në të mirën e shtetit të Kosovës.
“Unë do të bëj koalicion vetëm me njerëz të denjë që e bëjnë Kosovën, që punojnë për Kosovën, që janë të pastër si loti. Ata janë të shumtë në Kosovë dhe me ata do të bëj koalicion”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, duke folur për raportet me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, tashmë pjesë e “Nismës”, Pacolli ka thënë se inatet personale nuk i përfshin në politikë. “Hidhërimet e mia personale nuk kanë të bëjnë me politikën. Nëse kemi njerëz që kanë kontribuuar, të devotshëm, ne do të punojmë me ta. Edhe në partitë e tjera ka njerëz shumë të mirë”, ka shtuar ish-presidenti i Kosovës.
Kurse ka theksuar se vijë të kuqe ka për partinë më të madhe në Kosovë aktualisht PDK-në.
“Ne kemi vija të kuqe për ato parti që e kanë ngufatur AKR-në dhe idetë e AKR-së. PDK-ja e sotme është partia me potencialin më të madh që të ketë vija të kuqe nga AKR-ja”, është shprehur Pacolli.
Më tej ai është shprehur i bindur se AKR-ja është një parti e konsoliduar, ndonëse ka pauzuar disa vite.
I pari i AKR-së gjatë deklaratës së tij ka thënë se edhe gjatë kohës sa nuk ishte në Kuvend ka kontribuuar për shtetin e Kosovës. Madje, ai ka treguar sesi i kishte shkruar disa herë letër kryeministrit, nga i cili nuk kishte marrë përgjigje asnjëherë.
“Edhe jashtë skenës politike kemi bërë disa tentativa dhe ju mund ta pyesni edhe kryeministrin e Kosovës. Jam shumë i hidhëruar që nuk ka marrë mundin ta kthejë një letër, i kam shkruar shumë herë letra dhe i kam kërkuar që të na i lëshojë disa fabrika të cilat sot mbahen peng”, ka potencuar ai. Sipas tij, njerëzit të cilët janë në pushtet aktualisht nuk kanë as kreativitet e as ndjenja për qytetarët.
Për dallim prej tyre, sipas liderit të Aleancës Kosova e Re, kjo parti ka planin e vet zhvillimor. “AKR-ja ka planin e vet të zhvillimit ekonomik dhe në timonin e Qeverisë do të krijonte kushte që rritja ekonomike të jetë aspak më poshtë se 10 % dhe krijimi i perspektivës për punësim”, ka theksuar Pacolli.





















