Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i cili njëherësh është edhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, beson që Demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet nga Kuvendi gjatë kësaj jave.
Sipas tij, Lista Serbe s’ka kurrfarë kushti për ta votuar Marrëveshjen.
Kreu i diplomacisë kosovare ka potencuar se pas përmbylljes së këtij procesi ai do ta fillojë një turne vizitash në kryeqendrat e vendimmarrjes në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave, si dhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Fillimisht jam shumë i lumtur për dakordimin e spektrit politik shqiptar (pa “Vetëvendosjen”), sepse është shumë e nevojshme që një herë e mirë ta kuptojmë që proceset e mëdha kërkojnë nga konsensusi në veprim”, ka thënë Pacolli gjatë një interviste për Zërin.
“Si demokraci e re parlamentare Kosovës i duhet një shumicë stabile, veçmas kur është fjala për të ashtuquajturat ‘temat e mëdha. Besoj që Demarkacioni do të përmbyllet këtë javë”, ka shtuar ndër tjera ai.