Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, po qëndron në Bratisllavë, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të V4 dhe Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast, kryediplomati kosovar ka shfrytëzuar rastin për të informuar homologët e tij dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian rreth aksionit të Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, për arrestimin e një numri të madh personash të përfshirë në krim të organizuar, korrupsion e kontrabandë.
“Jam duke marre pjesë në takimin e Ministrave të V4 dhe Ballkanit perendimor që po zhvillohet në Bratisllave. I informova ministrat e jashtem të rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së për aksionin kundër krimit të organizuar në veri të Mitrovicës por edhe në pjesët tjera të Kosovës, ku u arrestuan një numër i madh i të përfshirëve në krim të organizuar dhe kontraband, duke perfshirë një numër të madh të zyrtarëve Policor”, ka thënë Pacolli, transmeton FaktePlus.
Pacolli me tutje ka thënë se ky operacion nuk ka pasur qëllim të sulmojë ndonjë komunitet specifik.
“Ky operacion nuk ka pasur qëllim të sulmoj ndonjë komunitet specifik të qytetarëve të Kosovës, fqinjët tanë nga Serbia po vazhdojnë t’i japin karakter etnik duke i politizuar përpjekjet tona për fuqizimin e sundimit të ligjit. Makineria propagandistike serbe e orkestruar nga Vuçiç dhe Daçiq po përpiqen të krijojnë histeri dhe frikë përmes fake news me qëllim të krijimit të tensioneve dhe destabilizimit dhe këtë ia thash edhe ministrit serb Dacic”, është shprehur ai.
Kryediplomati kosovar ka theksuar se ata i njohin lojërat e Beogradit.
“Serbia e pengoi bashkëpunimin rajonal duke orkestruar shfaqje të ndryshme që treguan fytyrën e vërtetë të Beogradit”, theksoi ai. /FaktePlus