Aktuale

Pacolli e quan lajm të mirë strategjinë për zgjerim të BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli e ka quajtur lajm të mirë strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian.“Me Strategjinë për Zgjerim të BE-së, për Republikën e Kosovës hapet një dritare historike e mundësisë për t’u lidhur në mënyrë të vendosur dhe pa dyshim me të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian.

Republikës së Kosovës i është ofruar mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, edhe pse ne kemi kërkuar trajtim të barabartë me vendet tjera të rajonit”, thuhet në deklaratën e Pacollit.
Pacolli beson se Kosova sikurse vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë mund të përfitojnë nga një stabilitet dhe prosperitet më i avancuar, e që do të mundësojë perspektivë të qartë evropiane.

Sipas tij ajo që duhet të inkurajojë është se procesi i zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë projektohet në frymën e procesit të Berlinit, që parasheh involvimin e vet BE-së në Planin e Veprimit për Mbështetjen e Transformimit të Ballkanit Perëndimor, në fushat si në vijim:Forcimin e mbështetjes për sundimin e ligjit, ku përfshihet matja e reformave në gjyqësi, luftimi i korrupsionit, mbështetja nga ekspertët e Shteteve Anëtare, monitorimi i proceseve gjyqësore, përkrahje e mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, etj;Shtimin e angazhimit në aspektin e sigurisë dhe migracion: angazhim i përbashkët kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, postimi i oficerëve ndërlidhës të Europolit në të gjithë rajonin, marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust, ngritja e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe krimit kibernetik, menaxhimi i kufirit, krijimi i qendrave koordinuese kombëtare për kontrollin e kufirit, bashkëpunim në Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri/ Siguria e Përbashkët si dhe Politika e Mbrojtjes, etj;Përkrahje në zhvillimin socio-ekonomik, në të cilën përfshihen: Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, garancitë për investimet private, zhvillimi i sektorit privat, rritja e potencialit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahja e hulumtimeve dhe ndërtimi i kapaciteteve të inovacionit, lehtësimi i tregtisë, forcimi i programit për reforma ekonomike, rritja e fokusit në punësim dhe në reformat sociale, etj;Angazhim në shtimin e lidhjes infrastrukturore, pjesëmarrjen e autoriteteve dhe organizatave të Ballkanit Perëndimor në punën e rrjetit të rregullatorëve të energjisë dhe operatorëve të sistemit të transmisionit dhe shpërndarjes;Përkrahje në agjendën e digjitalizimit;Mbështetja e pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.