Në një ceremoni në Prishtinë, sonte është shënuar 25 vjetori i themelimit të Kompanisë Mabetex Grup, njëra nga kompanitë më të suksesshme në botë, e themeluar dhe e udhëhequr nga një shqiptar.
Presidenti Kompanisë Mabetex Grup, Bexhet Pacolli ka thënë se Mabetex është një kompani që është krijuar me shumë mund dhe sfida.
“Rruga ka qenë e vështirë, sepse unë i ardhur nga Kosova kam pasur të vështirë ta arsyetoj punën time në Evropë. Unë asnjëherë nuk u ndala të besoj në bukurinë e ëndrrave të mia. E bukuria e asaj ëndrre ishte kjo mbrëmje, ku ne jemi sot”, tha Pacolli.
Ai tregoi se pas 13 viteve eksperiencë kishte filluar sfidën e tij nga zero, ku siç tha të arrihej kjo ishte e vështirë në një vend të huaj, raporton KosovaPress.
Kompania Mabetex Grup, është njëra nga kompanitë më të mëdha në botë, e cila është pronë e Bexhet Pacollit, që ka mijëra punëtorë anekënd botës./KosovaPress/