Në Shërbimin e Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është kryer një ndërhyrje e komplikuar, ku një pacienti i rrezikohej jeta si pasojë e komplikimeve shëndetësore në zemër.
Pacientit B.Z (1954) nga Podujeva, i është bërë Bypassi dhe endarterectomy e arteries karotide të djathtë, procedurë kjo e pastrimit dhe rikonstruktimit të arterieve që furnizojnë me gjak trurin.
Ndërhyrja përveçse ka shpëtuar në aspektin kardiokirurgjik, ka parandaluar edhe sulmin e mundshëm në tru që njihet si insult cerebral.
Ndërhyrje të tilla deri më tani janë kryer vetëm në klinikat me shërbime më të avancuara, përderisa kjo është hera e parë që kryhet në shërbimin e kardiokirurgjisë.
Ekipi operator përbëhej nga Raif Çavolli, kirurg kardiovaskular, Sabjan Memisha, kardiokirug, Shkëlzen Murriqi, anesteziolog dhe ekipi tjetër ndihmës nga transfuzionisti, instrumentaret dhe teknikët e anestezionit, thuhet në komunikatën e QKUK-së.