Referendumi Brexit ekspozoi linjat ndarëse të qarta dhe të forta në shoqërinë britanike, të cilat janë nxitur prej dekadash për shkak të niveleve vazhdimisht të larta të pabarazisë ekonomike, tha sot shoqata më e madhe bamirëse britanike, Oxfam.
“Vota e referendumit ishte një ilustrim i zymtë i faktit sesa e polarizuar është shoqëria jonë, me miliona votues që shprehën zemërimin e tyre për shkak se u janë mohuar mundësitë ekonomike dhe politike”, tha Oxfam.
“Një për qind e të pasurve të Britanisë kanë një pasuri 20 herë më të madhe sesa 20 për qind e të varfërve, me një ndarje të thelle midis njerëzve me para dhe atyre që nuk kanë”, tha grupi në një shënim informues para publikimit të një raporti mbi pabarazinë në Britani.
Thuhet se raporti, i bazuar në hulumtimet nga “London School of Economics”, do të tregojë se si Britania është bërë një shoqëri gjithnjë e më e grimcuar.
“Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të pasura në botë, por kjo është një komb i ndarë ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë”, tha Rachael Orr, shefja e programit të Mbretërisë së Bashkuar, Oxfam-it.
“Ndërkohë që ekzekutivi paguhet me shuma marramendëse, një në pesë persona jeton nën nivelin e varfërisë dhe luftojnë për të paguar faturat e tyre si dhe për të pasur ushqim në tryezë”, shtoi Orr.