Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha gjatë qëndrimit në Maqedoni, është takuar me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani ku u tha se Kosova dhe Maqedonia do të vazhdojnë të jenë vende mike për njëra-tjetrën dhe partnere të rëndësishme në shumë sektor, përshirë edhe integrimin e Kosovës drejt BE-së.
Sipas saj, shkëmbimi i përvojave në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike, janë të mirëseardhura.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Osmani, ka thënë se Kosova dhe Maqedonia do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen dhe se Maqedonia mbetet partner i fuqishëm i Kosovës.
“Kosova tashmë e ka të qartë rrugën e saj evropiane dhe vetëm perspektivat kredibile evropiane dhe euroatlantike e Ballkanit mund t’u japin fund sfidave rajonale. Me ministren Hoxha i konstatuam numër të madh të interesave të përbashkëta të dy vendeve, mes të cilave sigurisht që në vend të parë është përkushtimi ynë drejt aspiratave tona evropiane dhe euroatlantike”, deklaroi zëvendës kryeministri Osmani.
Në takim është diskutuar edhe për perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025./KosovaPress/