Aktuale

Osmani: Koalicioni e miraton buxhetin më së largu deri më 20 dhjetor

Deri më së largu më 20 dhjetor të këtij viti, Projektligji për Buxhetin e vitit 2017 do të votohet në Kuvendin e Kosovës. Ai gjatë ditëve në vijimin pritet të procedohet nga Qeveria e Kosovës, në Komisionin për Buxhet dhe Financa. Këto janë paralajmërimet kohore që i dha për Gazetën Express, deputeti i LDK-së dhe kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani.

Naser Osmani thotë se planifikimi për buxhetin e vitit të ardhshëm nuk ka pse të sjellë përplasje mes koalicionit qeverisës PDK-LDK. E aq më pak, sipas tij, buxhetimi i pagave të veteranëve nuk lë asnjë hapësirë për lëkundje, pasi ajo është një marrëveshje e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Çfarë përplasje bre? Ku ka përplasje. S’ka asnjo”, hodhi poshtë pretendimet për plasaritje dhe debat brenda koalicionit qeverisës, kryesuesi i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani.

“Ajo marrëveshja për paga të veteranëve është marrëveshje e arritur me Fondin Monetar. Aty nuk ka absolutisht asnjë keqkuptim për këtë marrëveshje. Ajo është marrëveshje e arritur. S’ka si të ketë keqkuptime”, tha për Gazetën Express, deputeti i LDK-së.

“Çdo gjë është e harmonizume, konform marrëveshjeve edhe me Fondin Monetar”, përsëriti ai.

Tutje, Naser Osmani tha se Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri Isa Mustafa, deri më sot është dashur ta procedojë në Kuvend Projektligjin për Buxhet të vitit 2017, që t’i hapë rrugë Komisionit që Osmani udhëheq, për Buxhet dhe Financa, ta shqyrtojë atë projektligj dhe ta amendamentojë te deputetët për votim.

“Në fund të tetorit Qeveria ish dashtë me e procedue projektligjin. Në nëntor i njëjti kalon në komision. Atëherë komisioni e amendamenton atë”, tha ai.

Osmani për Gazetën Express dha edhe një afat se kur mund të votohet në Kuvend buxheti i vitit të ardhshëm.

“Pres që deri më 20 dhjetor me e kalu në seancë plenare”, tha ai.

Çështja e buxhetit është lakuar në javën e fundit si mundësi që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi partneret qeverisës PDK-LDK nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje mes vete në disa pika të planifikimit të shpërndarjes së buxhetit. Së fundi, disa media kanë raportuar se planifikimi për uljen e shpenzimeve të veteranëve, sipas marrëveshjes së Qeverisë me Fondin Monetar nuk është duke u mbështetur nga PDK-ja. /GazetaExpress/.