Aktuale

OSBE: Korrupsioni në Shqipëri, pasojë e presionit politik dhe administratës së dobët

Vlerësime pozitive ka marrë qeveria shqiptare për përpjekjet që po bën në saj në luftën kundër korrupsionit nga OSBE.

Në një tryezë të mbajtur në Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit, Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt u shpreh se “gjatë këtyre viteve të fundit, qeveria e Shqipërisë ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të adresuar çështjen e korrupsionit në vend – përmirësimi i politikave dhe kuadrit legjislativ është i dukshëm, por duhet bërë më shumë:  korrupsioni mbetet problem serioz për vendin.

Pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve që presupozohet të luftojnë korrupsionin vazhdojnë të kufizohen nga presioni politik dhe kapacitetet e dobëta administrative. Progresi i qëndrueshëm në zbatimin e ligjeve dhe politikave të mirëqeverisjes duhet të ruhet, kombinuar me ndryshimet e dukshme që priten në gjyqësor”.

Sipas Borchardt , “Shpeshherë pagat e ulëta, pranimi i ryshfetit nga shoqëria dhe rrjetet e ngushta sociale e bëjnë luftën kundër korrupsionit një detyrë të vështirë.

Duhet t’i kushtojmë më shumë përpjekje garantimit të  integritetit të zyrtarëve të zgjedhur dhe ndërtimit të një administrate publike të besueshme, funksionale dhe transparente. Sidoqoftë, masat e ndryshme kundër korrupsionit duhet të kombinohen me incentiva të përshtatshme  ekonomike për zyrtarët publikë”.