Kaona Duriqi, është 23 vjeçare nga Prishtina, ka përfunduar studimet për dizajn dhe tani ka hapur edhe studio ku i prezanton kreacionet e saj. Kërkesat në industrinë e sotme si dhe në modë janë shumë komplekse dhe shumë kërkuese. Pasi që tregu kërkon kreativitet, garë, seriozitet, ndjeshmëri dhe kulturë të cilat më pas i bashkëngjiten talentit. Veti këto të cilat Kaona i ka përvetësuar një nga një.
Ajo thotë që çdoherë e ka ditur se cila është ëndrra e saj dhe se çfarë do të bëj gjatë jetës, andaj edhe tani Kaona më në fund është duke e jetuar ëndrrën. Ajo merret me dizajnin e veshjeve të përditshme apo urbane, siç i quan ajo, fustaneve, por edhe vellove për nuse.
Janë bërë gati dy vite që Kaona merret me dizajn në mënyrë profesionale. Ajo thotë që asnjëherë nuk e kufizon vetën në një material.
“Me dizajn profesionalisht ja kom nis me u marr qe 1 vjet e gjysmë, d.m.th. në prill më bëhen dy vjet që kom startu punën, po që jam marr ton kohën edhe ma herët me dizajn, shembull kom skicu nonstop kom bo tripa. Nuk jam e limitume në materiale në fakt po mendoj çdo material që më pëlqen e shti nëpër koleksione të mia qoftë ai edhe nëse është material që nuk përdoret për veshjen por unë e përdori nuk jam e limituar në aspektin e materialeve, çka do që më pëlqen e përdori”, tha dizajnerja Kaona Duriqi.
Sipas Kaonës stili krijohet në bazë të personalitetit dhe se gjëja më e rëndësishme është që të jesh vetvetja, sepse origjinaliteti çdoherë reflekton mirë.
“Stili është një send që krijohet në bazë të personalitetit të personit, d.m.th. nëse në momentin që je vetvetja edhe e krijon një stil në bazë të identitetit atëherë ai është stil, origjinaliteti është stil. Për një veshje më të mirë në momentin që je origjinal je vetvetja, ajo reflekton mirë, ajo është veshja më e mirë që mundesh me vesh”, tha Kaona.
Ajo tha se veçanërisht kohët e fundit ka mundur ta vërej se në përgjithësi në vendin tonë vetëdijesimi për veshje të mirë është shumë i lartë dhe se në trend janë veshjet e viteve të 90-ta. Kaona tha se kryesisht klientët e saj janë femra, por do të ketë më shumë zgjedhje për meshkujt pas koleksionit të ardhshëm.
”Kohën e fundit po mendoj që jena tu u kujdes shumë për veshjen po mendoj jena në suaza botërore muj me thonë. Në trend së fundmi janë duke u rikthyer fryma e viteve të 90-ta edhe janë duke u përdorur ato prerje shumë, format e viteve të 90-ta ajo është në trend… Ndërkohë që planifikoj me u marrë edhe me veshjet për meshkuj, një koleksion për meshkuj do t’paralajmëroi edh enjë linjë të re për ta nga unë”, tha dizajnerja.
Ndërsa sa i përket promovimit të kreacioneve të saj Kaona tha që kryesisht atë e bën përmes fotografisë dhe publikimit të tyre në rrjete sociale dhe ekspozimit të veshjeve në studion e saj, por që kjo nuk është e tëra sepse ajo po mendon të bëj edhe një sfilat.
Dua Lipa, Era Istrefi dhe Ledri Vula janë artistët më të parapëlqyer të Kaonës sepse sipas saj janë origjinalë.
”Dua Lipa, Era Istrefi, janë origjinale, në çdo aspekt sa i përket stilit dhe për këtë vlerësoj se janë femrat më IN. Ndërsa tek meshkujt veçoj Ledrin, thjesht e ka një stil pak ma të veçantë edhe mënyra qysh veshët i përket shumë atij, shkon ai stil shumë”, tha Kaona.
Veç tjerash Kaona shtoi se çdokush që e gjen veten në stilin që ajo punon thotë që i uron mirëseardhje çdoherë. Ndërsa sa i përket çmimeve të këtyre veshjeve, Kaona thotë që janë të volitshme dhe se gjithçka varet nga materiali, modeli dhe qepja./KP/