Në vitet e fundit po zhvillohet në kuadër shkencor teoria që njeriu amerikan ka origjinë të shumëfishta.
Deri pak vite më parë, edhe për shpirt të pastër nacionalist, shumë studiues amerikanë tregonin vendin Clovis të Nju Meksikos si vendin ku pati origjinë kultura mëmë e të gjithë amerikanëve (13.5 mijëvjeçarë ose më shumë).
Por vitet e fundit, në vijim të gjetjeve të kryera në Amerikën e Jugut (Pedra Furada të Brazilit, Monte Verde në Kili dhe shpella ‘Pedra Pintada’ në Brazil, sa për të përmendur vetëm disa), është arritur në konkluzionin se Homo Sapiens ka ardhur fillimisht në Amerikën e Jugut dhe vetëm pas disa mijëvjeçarësh në Amerikën Veriore.
Teoria e dytë, e quajtur afrikane, mbështetet nga gjetjet e Pedra Furadas, vend në Piauì (shtet i Brazilit), të studiuara nga arkeologia Niede Guidon, transmeton “Zeri.info”.
Janë gjetur kocka njerëzore të datuara 12000 vjet më parë, të cilat provojnë praninë e njeriut në Brazilin e sotëm njëkohësisht me kulturën Clovis të Amerikës Veriore.
Veç kësaj, disa mbeturina të vatrave (të datuar me metodën e karbonit 14 dhe të lumineshencës), kanë provuar se vendi u banua 60 mijëvjeçarë e më shumë. Kush qenë banorët e lashtë të Piauì dhe nga vinin ata? Sipas Niede Guidon qenë Homo Sapiens arkaikë, jo më shumë se disa mijëra, origjina e të cilëve ishte Afrika Veriore, nga e cila qenë nisur rastësisht me varka jo të sofistikuara drejt brigjeve të Botës së Re.
Këto konsiderata janë mbështetur nga kërkuesit, Valter Neves dhe Danilo Bernardo (të Departamentit të Gjenetikës dhe të Biologjisë Evolutive të Universitetit të San Paolos në Brazil), të cilët kanë individualizuar në kafkat e gjetura në Piauì llojin njerëzor Homo Sapiens arkaik (i pranishëm në Afrikë qysh nga 130 mijëvjeçarë e më shumë).
Historia e tretë, që tregon origjinën e njeriut amerikan nga Melanezia dhe Polinezia mbështetet nga prova antropologjike, etnografike dhe gjuhësore.
Të parat bazohen mbi ngjashmërinë e madhe të grupeve të ndryshme aktuale indigjene amerikane me tipin njerëzor melanezian dhe polinezian.
Për shembull, mund të përmenden Tunebot e Kolumbisë, që sipas studiuesish të shquar kanë ngjashmëri të habitshme me autoktonët e Guinesë së Re apo Sirionòt e Bolivisë, që kanë karakteristika morfologjike melaneziane.
Pastaj ekzistojnë disa prova morfologjike jo të drejtpërdrejta, si kokat e famshme olmeke të Meksikës apo statujat e Shën Agustinit të Kolombisë Jugore, të cilat paraqesin karakteristika negroide, domethënë melaneziane (ose afrikane).
Pastaj ka disa prova etnografike. Lidhur me këtë, studiuesi i shquar Erland Nordenskiold ka individualizuar instrumente, doke dhe zakone të shumta tipike të kulturave të ndryshme autoktone amerikane, çuditërisht të ngjashme me etni të tjera tipike të Guinesë së Re, Melanezisë dhe Polinezisë.
Për shembull: fyej qëllues, sëpata, harqe, shigjeta, thika, katapulta, ura prej liane, trape, varka, kasolle, qeramika, mortaja, hamakë, rrjet mbrojtës biskonjash, krehra, punime tekstile, ponço, ornamente hundore, gjoksore, sisteme arkaike numërimi si kuipu, daulle druri e lëkure, maska druri, tatuazhe, përdorim nefriti të ngulura nëpër dhëmbë, deformim të kafkës dhe të gjunjëve nëpërmjet fashash të ngushta dhe, së fundi, përdorim të konkiljeve si mjet shkëmbimi.
Etnologu dhe gjuhëtari francez Pol Rivé (1876-1958) ka provuar me studime të thelluara filologjike se gjuhët amerikane kanë analogji të habitshme me ato indoneziane, melaneziane dhe polineziane. Rivè ka studiuar grupin gjuhësor hoka, që përmbledh gjuhën tashmë të shuar shasta të Oregonit, shantalen e istmit Tehuantepek, subtiaban e Nikarauguas dhe Jurumanguin e Kolombisë.
Duke krahasuar hokan me gjuhët malezo – polineziane, Rivé ka gjetur më shumë se 280 ngjashmëri në fjalët dhe në format gramatikore.
Popullsia e Amerikës parahistorike ishte aq e kufizuar sa që ardhja edhe e disa dhjetëra burrave me pak gra, me një dorë të vetme, mund të ketë qenë e mjaftueshme sa për të lënë ndryshime domethënëse në historinë gjenetike të rajoneve të tëra.
Pse nëse qe kaq e lehtë për popuj parahistorikë afrikanë, melanezianë, polinezianë, australianë e japonezë që të përshkojnë më të madhin e oqeaneve pa kapur arritjet tipike të qytetërimit perëndimor, si bujqësia dhe përdorimi i hekurit, nuk qe po aq e lehtë për evropianët të kalonin Atlantikun, gjë që e bënë vetëm duke filluar nga viti 1000 A.D. me udhëtimin e Leif Eriksonit (djalit i Erik Kuqalashit) dhe në vitin 1492 me ekspeditën e Kristofor Kolombos?
Duhet konsideruar se qytetërimi perëndimor, me kulturat e sumerëve, të egjiptianëve, dhe më pas të grekëve dhe romakëve ishte përqendruar sidomos në Mesdhe, një det i madh pothuajse i mbyllur dhe i lidhur me Oqeanin Atlantik vetëm nëpërmjet Ngushticës së Gjibraltarit.
Qe pikërisht struktura gjeografike e Mesdheut që kontribuoi të mos përhapeshin dhe aq shumë teknikat e lundrimit oqeanik, me përjashtimin e fenikasve që sipas Herodotit i ranë rrotull Afrikës në shekullin e VIII B.C..
Por nuk ka prova të sigurta të kontakteve midis fenikasve dhe popujve të Botës së Re, edhe pse disa kërkues pohojnë se qyteti i lashtë Tartesos në Andaluzinë e sotme (Spanjë) qe porti bazë në lashtësi për lundrimet transatlantike. Siç shikohet, çelësi për të kuptuar origjinat e shumëfishta të autoktonëve amerikanë qëndron në studimin e antropologjisë, etnografisë, gjuhësisë dhe tani edhe të gjenetikës, nëpërmjet së cilës mund të përcaktohet e gjithë genoma e shumë indigjenëve të Botës së Re, duke i kuptuar akoma më mirë origjinat e tyre dhe duke zbuluar më së fundi një prej mistereve më të mëdha të arkeologjisë.