Asociacioni Kombëtar i Armëve në SHBA ka lëshuar një mesazh kërcënues për gazetarët, të cilët i ka paralajmëruar që ‘koha juaj po përfundon’, shkruan The Independent.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, zëdhënësja e NRA (National Rifle Association), Dana Loesch, ka thënë që ‘të gjithë gazetarët gënjeshtarë’ duhet ta dinë që kjo është mjaft.
“Kemi duruar mjaft gënjeshtra, arrogancë, urrejtje e lajme të rreme”, ka thënë Loesch duke kërcënuar gazetarët.
NRA është organizatë konservatore e djathtë në Amerikë që mbështet të drejtën e amerikanëve për të mbajtur e përdorur armë zjarri.
Ky asociacion kritikohet gjithnjë sa herë që ka vrasje masive në Amerikë, pasi që me fondet e NRA’së i bëjnë fushatat zgjedhore shumë senatorë e kongresmenë, të cilët ende nuk kanë arritur të adresojnë problemin e vrasjeve përmes ligjit.
“Prandaj, për të gjithë gazetarët, politikanët, mediat e njerëzit që përdorin famën për të predikuar kundër lirive në Amerikë, ne ju themi se po ju mbaron koha. Numërimi fillon që tani”, ka thënë Loesch.
Kjo video u konsiderua si kërcënuese nga shumë përdorues të Twitterit, të cilët edhe ashtu e shohin si kërcënim për sigurinë një organizatë si NRA, e cila lobon dhe paguan shumë para që amerikanët të mos prezantojnë ligje për kontrollin e armëve. /gazetametro.net