Aktuale

ORCA publikon parregullësi të tjera në Universitetin e Prishtinës

Raporti i dytë “Dembelët e Hasan Prishtinës” i përpiluar nga ORCA bazohet në monitorimin sistematik të Fakultetit Ekonomik, Filozofik, dhe Juridik gjatë tre muajve të fundit.

Kjo organizatë ka njoftuar se në këtë raport janë Janë monitoruar konsultimet, ligjëratat dhe provimet në këto tre fakultete.

Hulumtimi vë në pah mosrespektimin e orarit të punës nga një pjesë e stafit akademik.

Sipas të gjeturave të hulumtimit, nga 1177 ligjërata sa janë monitoruar në tri fakultetet e përfshira në hulumtim, 218 apo 18,5% prej tyre nuk janë mbajtur për shkak të mosprezencës së profesorëve.

Po ashtu, gjatë muajit qershor ORCA ka monitoruar mbarë- vajtjen e provimeve, ku janë monitoruar nga 20 provime për Fakultetin Ekonomik, Filozofik dhe Juridik; në total 60. Nga këto 60 provime, 4 nuk janë mbajtur fare, 14 janë mbajtur nga asistentët ose profesorë të tjerë, dhe 15 kanë filluar me vonesë më shumë se 15 minuta.

Për ta parë edhe nga perspektiva e studentëve situatën rreth mbarëvajtjes së mësimit: konsultimeve, ligjëratave dhe provimeve, ORCA ka administruar një pyetësor te 92 studentë të të tri fakulteteve me pyetje që kanë të bëjnë me konsultimet, ligjëratat, provimet si dhe disa pyetje të përgjithshme për cilësinë e Universitetit të Prishtinës si institucion i arsimit të lartë.

Rezultatet e pyetësorëve sipas ORCA tregojnë se përshtypja e studentëve është se në universitet mbretëron një gjendje relativisht e dobët e organizimit.

“Nga 92 respondentë, 74 kanë thënë që ligjëratat mbahen me rregull sipas orarit zyrtar. Nga 92 respondentë, 76 kanë thënë që ka ndodhur që asistenti ka ligjëruar në vend të profesorit çka përbën shkelje të Statutit të UP-së. Nga 92 respondentë, 37 kanë thënë që ekziston mjaft hapësirë/salla për të zhvilluar provimet, ndërsa 55 kanë thënë që nuk ka mjaft hapësirë/salla për t’i zhvilluar provimet”, thuhet në komunikatën për media nga ORCA.