Rajon & Botë

Orban pretendon fitoren, referendumi nuk kaloi pragun e vlefshmërisë

Hungarezët u thanë “Jo” kuotave të detyrueshme për emigrantët, por referendumi i së dielës nuk do të vlejë për asgjë, pasi pjesëmarrja nuk e kaloi kuorumin e nevojshëm të 50 përqindëshit.

Sipas të dhënave, vetëm 43.42 për qind e zgjedhësve shkuan në qendrat e votimit. Verdikti i tyre ishte gati unanim: 98 për qind u shprehën kundër emigrantëve, e vetëm 2 për qind pro.

Kryeministri Viktor Orban nxitoi të shpallte fitoren dhe një zëdhënës i qeverisë pohoi se rezultatet ishin detyruese, si politikisht ashtu edhe ligjërisht, diçka e kundërshtuar nga opozita.

Orban u kërkoi udhëheqësve të BE-së të marrin në konsideratë rezultatin dhe tha se do të ndryshonte Kushtetutën hungareze për ta bërë vendimin detyrues.

Gjatë krizës së emigrantëve të vitit të kaluar, Hungaria u bë një shtet tranzit në itinerarin ballkanik drejt Gjermanisë dhe destinacioneve të tjera në BE. Në përpjekjen për të reduktuar fluksin, autoritetet blinduan kufijtë me Serbinë dhe Kroacinë.