Aktuale

Olluri: Organet e ndjekjes s’po tregohen njëjtë efikase për kërcënimet e gazetarëve dhe politikanëve

Drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, ka thënë se organet e ndjekjes dhe të drejtësisë nuk po veprojnë njësoj kur është fjala për kërcënimet ndaj gazetarëve dhe në rastet e kërcënimeve ndaj politikanëve.

“Më shumë shohim komente prej 16-18 vjeçarëve që i quajnë gazetarët UDB-ash. Ndërsa kthehemi tek Policia ku thonë se nuk janë të përgatitur që të merren me rrjetet sociale. Mirëpo e kundërta ka ndodhur me Bensik Mustafën, djalin e ish-kryeministrit, ku menjëherë policia është treguar aktive”, ka thënë Olluri.

Ai i bëri këto komente gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Demokracia Plus në bashkëpunim me Insajderin.

Olluri ka shtuar se tryeza të tilla është rrezik që të mbeten klishe dhe askush të mos merret seriozisht me kërcënimin e gazetarëve.

“Ka shumë rrezik që konferencat e tilla të kalojnë në konferenca klishe. Gjuha e urrejtjes është një prej aspekteve që po përballen gazetarët nëpërmes rrjeteve sociale”, ka thënë drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri.

Kurse Isuf Zejna nga Demokraci Plus, ka thënë se gazetarët sot përballen me tri çështje kryesore.

“Demokraci Plus dhe Insajderi kanë vendosur që të merren më seriozisht më këtë çështje, sepse kemi një trend të sulmeve ndaj gazetarëve. Gazetarët sot përballen me tri gjëra, siç janë hakmarrja, pengesat e vazhdueshme për qasje në dokumente dhe aspekti i marketingut. Këto janë tri aspektet me të cilat po përballen gazetarët në Kosovë”, ka thënë Zejna nga D+.