Liderët në Shtetet e Bashkuara, nga radhët e të dy partive politike, kanë shprehur zemërimin e tyre, mbi komentet e kandidatit republikan për President, Donald Trump, i cili ka refuzuar të thotë “nëse do ta pranojë rezultatin zgjedhor në rast të humbjes në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit”
Presidenti Barack Obama e quajti të “rrezikshëm” pohimin e Trumpit se zgjedhjet janë “të manipuluara” dhe kjo, me sa duket, “për shkak se sondazhet tregojnë se kundërkandidatja e tij demokrate, Hillary Clinton është shumë më përpara tij”.
“Kur ju përpiqeni të mbillni dyshim në mendjen e njerëzve lidhur me legjimitetin e zgjedhjeve tona, kjo gjë dëmton demokracinë tonë”, ka thënë Obama.
“Kur ju sugjeroni se ka manipulim apo mashtrim pa ofruar asnjë provë…Trump bëhet i nominuari i parë i një partie të madhe në historinë e Amerikës që sugjeron se ai nuk do të pranojë rezultatin pavarësisht humbjes… kjo çështje nuk është shaka”, ka thënë Presidenti Obama.
Kryetari i dhomës së përfaqësuesve të SHBA-së, Paul Ryan, përmes zëdhënësit të tij ka thënë se “demokracia jonë varet në besimin në rezultatet zgjedhore dhe z. Ryan është i sigurt se shtetet do t’i organizojnë këto zgjedhje me integritet”.
Senatori republikan John McCain, i cili në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, u mposht nga Obama dhe ka thënë se “mua nuk më pëlqeu rezultati i zgjedhjeve të vitit 2008. Por, e kam pasur për obligim që ta pranoj atë dhe e kam bërë pa ngurrim. Koncesioni është akt i respektit për të mirën e amerikanëve, një respekt që është përgjegjësia e parë e çdo lideri amerikan”, ka thënë McCain. (REL)