Një Evropë e fortë dhe e bashkuar është e rëndësishme për Botën, theksoi sot presidenti amerikan, Barack Obama, në ditën e parë të një vizitë që do të vijojë më pas në Gjermani.
“Ne mendojmë se një Evropë e fortë, me prosperitet dhe e bashkuar nuk është mirë vetëm për popujt e Evropës, por është mirë për botën dhe për SHBA-në”, deklaroi presidenti amerikan gjatë takimit me presidentin grek, Prokopis Pavlopoulos, i cili e priti në pallatin presidencial.
Barack Obama, i cili do të qendrojë në Athinë deri të mërkurën, nënvizoi se ishte e drejtë në këtë udhëtim të fundit jashtë vendit të vizitonte djepin e demokracisë.
Ai nënvizoi progreset e bëra nga Greqia së fundi, në kohë ekonomike shumë të vështira.
“Ne jemi të kënaqur për progreset e realizuara, pavarësisht sfidave të rëndësishme në të ardhmendhe synojmë të qendrojmë krah për krah me popullin grek”, nënvizoi ai.
Obama i shprehu gjithashtu Greqisë mirënjohjen e botës për ndjenjën humanitare dhe mënyrën se si Greqia ka menaxhuar krizën e refugjatëve.
“Është e rëndësishme që të mos lëmë një vend të vetëm të mbajë barrën e këtyre sfidave”, theksoi ai.
Ai nënvizoi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Greqisë, brenda NATO-s, ishte shumë e rëndësishme dhe Aleanca Atlantike ishte guri i themelit për sigurinë tonë të përbashkët dhe prosperitetin.