Aktuale

Nxirret nga banesa vajza 2 vjeçare që pa me sy tmerrin në Dardani

Është nxjerrë nga banesa ku ndodhi vrasja e trefishtë në Prishtinë, vajza dy vjeçare që është personi i vetëm që mbeti i gjallë nga ngjarja tragjike ku mbetën të vdekur tre persona, raporton Gazeta Express.

Dy orë pasi që ndodhi krimi, 2-vjeçarja është nxjerrë nga aty nga familjarët pasi që hetuesia kreu hetimet e para.

Gazeta Express ka raportuar se vajza ishte në vend të ngjarjes kur ndodhi rasti tragjik, ku H.K vrau gruan e tij, gruan e djalit e më vonë vrau edhe veten.

Rastin e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës.

“Sot rreth orës 13:20, policia ka marrë informacionin për një vdekje të dyshimtë në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrarë tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, ka bërë të ditur Flora Ahmeti.

Mësohet se personi që kreu krimin tash e një kohë kishte probleme mendore, ndërkaq, edhe një vit më parë kishte tentuar të vrasë gruan e tij./Express

the authorBurbuqe Metolli