Aktuale

Nxënësi hedh gaz brenda shkollës, ja dëmet që shkaktoi

Një nxënës në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë është intervistuar të mërkurën nga ana e policisë nën dyshimet se ka hedhur gaz brenda objektit të shkollës.

Siç mëson KALLXO.com kjo ka ndodhur pas hedhjes së një substance të rrezikshme (lloj gazi) në radiatorët e katit të tretë të kësaj shkolle.

Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti, tha për KALLXO.com se të mërkurën pasdite Policia ka intervistuar njërin nga nxënësit e gjimnazit, pasi që i njëjti dyshohet ta ketë hedhur gazin në radiatorët e shkollës.

Zahiti tha se gazi është hedhur të martën dhe të mërkurën në gjimnaz, dhe në ditën e dytë Policia ka arritur të intervistoj një të dyshuar për rastin, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa Drejtori i Gjimnazit në Mitrovicë Ismet Ferizi tha se Policia po merret me rastin.

“Është krijuar një panik tek nxënësit , por rasti ka përfunduar, policia ka intervistuar një nxënës në lidhje me rastin” tha Ferizi.

Ai shtoi se asnjë nga nxënësit nuk ka pasur lëndime serioze përveç dy nxënësve që kanë pranuar ndihmë mjekësore për shkak të djegies së syve nga gazi i hedhur.