Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Faruk Nura, shumë shpejt do të marrë pjesë në një takim me bashkatdhetarët në Zvicër.
Në këtë takim Nura pritet që t’i njoftojë me planet e Ministrisë dhe t’u bëjë ftesë për të investuar në Kosovë.
Nura në një intervistë për Kosovapress, tha se marrëveshja e mirëkuptimit e arritur ditë më parë mes ministrit të Diasporës dhe Investimeve strategjike, Dardan Gashi me Ministrinë e Punëve të Brendshme do të hyjë në funksion prej vitit të ri, dhe bashkatdhetarët do të kenë mundësi të hyjnë në Kosovë pa pasur nevojë të presin në pikat kufitare.
Ai po ashtu ka treguar se ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj shumë shpejt do të bëjnë publike krijimin e një fondi, i cili ka për qëllim ndarjen e subvencioneve për ato biznese që do të investojnë në Kosovë.
Ai po ashtu ka shtuar se do të bëjnë të pamundurën vetëm e vetëm që mërgatës t’iu mundësohet lirimi i taksës që aktualisht e paguajnë në kufij.
Ai ka shtuar se Qeveria ka interes shumë më të madh që investimet e para të vijnë nga diaspora.
Sipas tij, kjo Qeveri do të jetë më ndryshe, pasi sipas tij që për të gjitha lëmitë që ata kanë interes të investojnë në Kosovë do t’u ofrohet mbështetje dhe bashkëpunim./KosovaPress/