Ministri për Komunitete e Kthim, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar se janë spekulime lajmet që flasin për suspendimin e Ministrisë në krye të së cilës është dhe se për këtë, sipas tij, nuk ka pasur bisedime zyrtare, transmeton Koha.net.
Jevtiq mendon se çështja e kthimit në Kosovë nuk mund të mbyllet përderisa të shpërngulurit dëshirojnë të kthehen.
“Para të gjitha çështjeve rreth do farë vendimesh administrative, duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë që ky kthim të bëhet në mënyrë më cilësore se sa deri më tash. Ajo që është më e rëndësishme, të vazhdojmë së luftuari për qëndrimin e popullit tonë këtu”, citon radiokim të ketë thënë Jevtiq.
Më herët është njoftuar se Qeveria e Kosovës do të suspendojë gjithsej 7 ministri, ndërsa Ministria për Kthim do të shndërrohej në Zyrë të kabinetit të Kryeministrit të Kosovës.