Nga Debati i nesërm që do të mbahet me ekspert për çështjen e pikës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Lëvizja Vetëvendosje nuk pret që të ketë ndikim tek Qeveria e Kosovës. Madje, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi tha se çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të arrij të ndalet vetën në saje të aktiviteteve dhe rezistencës së opozitës dhe qytetarëve.
Krasniqi tha se debati i hapur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, nuk duket të jetë i njëmend dhe shihet se nuk ka interesim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës që të dalin në pah argumentet pro dhe kundër.
Ai tha se në debatin e nesërm vetëm sa do të rikonfirmohet ajo që tash e tetë muaj e ka thënë opozita.
“Do të ketë një ri konfirmim të asaj që ka thënë opozita tash e tetë apo nëntë muaj, ngase argumentet gjenden në anën tonë dhe këtë e kanë dëshmuar gjithë ekspertët e fushës të cilët kanë folur, përveç atyre të cilët i ka korruptuar shteti duke i vendosur në komisionin Ad-Hoc, i cili e ka sjellë këtë version të demarkacionit. Ne në anën tjetër nuk presim që ky debat do të ketë ndikim tek Qeveria e Kosovës, për shkak se të njëjtat argumente që do të thuhen në këtë debat e që do janë të pakontestueshme janë thënë tash e nëntë muaj, por qeveria e Kosovës ka qenë e shurdhër karshi argumenteve dhe ka qenë e vendosur në arrogancën e vetë që të mos lëshoj pe. Prandaj, ne mendojmë që në fund të fundit demarkacioni do të arrij të ndalet vetëm në saje të aktivitetit dhe rezistencës të opozitës dhe qytetarëve sa për argumente kjo qeveri moti ish dashur me anuluar demarkacionit”, tha Krasniq i.
Ndërsa se cilat do të jenë veprimet e VV-së nëse demarkacioni do të shkoj në Kuvend, ai tha se vetëm kur çështja të hyjë si rend dite në seancën e Kuvendit atëherë do të deklarohen për hapat e mëtutjeshëm.
Tashmë, sipas Krasniqit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë përgatitur që të mbrojnë qëndrimin e bërë publik kundër kësaj vije kufitare.
Refuzimin e ekspertëve të cilët janë propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për debat në takimin e nesërm, Krasniqi e sheh si jo sinqeritet nga ana e kryekuvendarit Kadri Veseli, në raport me argumentet kundër atyre që ka qeveria.
“Grupi i LVV i ka caktuar disa prej deputetëve që tashmë janë përgatitur mirë dhe do të jenë aty për ta mbrojtur qëndrimin tonë. Në anën tjetër është e vërtetë që Kadri Veseli i ka refuzuar grupin e ekspertëve të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje ku nuk përfshihen vetëm ekspertët nga Kosova, por përfshihen edhe ekspertë shumë të mirë nga Shqipëria, por janë refuzuar këta nga Kadri Veseli dhe ne kemi të qartë pse ka ndodh kjo. Për shkak se ky debat megjithatë donë të shfrytëzohet nga Qeveria se ne po hapim diskutim por nuk është njëmend interesimi i sinqertë i qeverisë që të dalin në pah argumentet”, tha Krasniqi.
Deputetët të cilët do të marrin pjesë në debatin e nesërm për demarkacionin me Malin e ZI, janë Gluk Konjufca, Aida Dërguti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu, Ismajl Kurteshi./KP