Shqiptarja nga Kosova, Aurora Pirraku Eriksson, kandidate për Parlamentin e Suedisë nga partia Partia Social-Demokrate (STS), pas sukseseve të shumta në politikë si dhe në profesionin e saj si psikologe mjeko-ligjore në departamentin e krimeve në regjionin e Vestmmaland, së fundmi ka investuar edhe në Kosovë. Ajo ka bërë një marrëveshje me kompaninë ‘Model Slovenia’, ku ka blerë 4 banesa, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
E kontaktuar nga Gazeta KNN, ajo thotë se, përkundër kushteve të mira që familja e saj ka në Suedi, ka shprehur dëshirën që të mbajë lidhjet edhe me vendlindjen e saj, Kosovën.
“Jam shumë e kënaqur me mundësitë, shërbimet dhe kushtet që më ka ofruar kompania “Model Slovenia”. Që të investojë në Kosovë e kam pasur në plan që nëntë vite, por për shkak të disa sjelljeve të dyshimta të disa kompanive ndërtuese në Kosovë, kam pasur frikë të bëj një veprim të tillë. Kjo kompani nga e cila kam blerë 4 banesa, dy në Fushë Kosovë dhe dy në Prishtinë, me ka bërë të ndihem mjaft komode, pasi që, qysh në takimin e parë me agjentët e tyre dhe deri në finalizimin e kontratave për shit-blerje, gjithçka ka qenë korrekte. Kam pasur edhe disa vonesa për shkak të angazhimeve të mija politike në Suedi, por kjo kompani ka pasur mirëkuptim dhe janë sjellë shumë mirë me mua”, ka thënë Aurora.
Ajo ka dashur që këtë eksperiencë të mirë të saj me kompaninë ‘Model Slovenia’ ta ndajë edhe me bashkatdhetarët e tjerë që jetojnë në Suedi, të cilët i porositë se nëse duan të bëjnë një investim të sigurt, që të blejnë banesa apo lokale afariste, këtë ta bëjnë në këtë kompani të ndërtimeve.
“Ka plotë bashkatdhetarë që duan ta bëjnë të njëjtën gjë, që të paktën të blejnë një apo dy banesa në vendlindjen e tyre, por për shkak se ata kanë dëgjuar histori të ndryshme të ‘dallavereve’ këtë gjë kanë frikë ta bëjnë. Mua më janë dashur nëntë vite që të marrë këtë vendim. Por tani nuk jam e zhgënjyer që e kam bërë këtë, sepse kompania ‘Model Slovenia’ më ka bërë që të ndihem komode në investimin tim. Këtë kompani ua rekomandojë edhe të gjithë bashkatdhetarëve të mi në Suedi por edhe mërgimtarëve nga shtet e tjera evropiane, të cilët po ashtu kanë frikë që blejnë ndonjë banesë apo lokal në Kosovë”, u shpreh Aurora Pirraku Eriksson.
Historiku, kush është Aurora Pirraku Eriksson dhe si emigroi ajo në Suedi?
Aurora Pirraku Eriksson kishte emigruar në Suedi 25 vite më parë, në vitin 1992, ku tri vite më vonë kishte filluar punën e parë, në të njëjtën kohë vazhdonte shkollimin të cilin ë kishte ndërprerë në Kosovë. Më pas, për dy vite kishte vijuar shkollimin e lartë për përkthyese, pastaj Fakultetin e Psikologjisë për Gjuhën e Lëvizjeve të Trupit, në Universitetin e Mälardalens gjithashtu edhe Fakultetin për Lidership ku njëkohësisht e kishte marrë titullin Magjistre e Lidershipit. Gjithashtu, Aurora ka kryer edhe Fakultetin e Kriminologjisë ne titull Master te Universitetit te Stockholm-it dhe pastaj është certifikuar në degën e Psikoterapisë.
Që nga viti 2016, ajo ka filluar punën si analiste e psikologjisë mjeko-ligjore për regjionin MIT, ku bëjnë pjesë 46 komuna, ku kryesisht merret me raste të rënda të krimologjisë.
Ajo, që nga viti 1999 është bërë pjesë e Partia Social-Demokrate (STS), ku për çdo vit ka arritur t’i ngjitet majave në karrierën e saj politike dhe tani është kryetare e grave të kësaj partie dhe nënkryetare e partisë për regjionin e Vestmmaland. Ajo do të kandidojë për deputete në parlamentin suedez në mandatin e ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare në Suedi.
Sa i përket integrimit të shqiptarëve atje, Aurora thotë se shteti suedez ka një simpati të veçantë për Republikën e Kosovës dhe shqiptarët, pasi që është edhe një ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo thotë se të rinjtë shqiptarë po tregojnë një sukses jashtëzakonisht të madh në të gjitha fushat e shkollimit, pasi që shteti suedez, jo vetëm për shqiptarët, por të gjithë popujt, ofron mundësi shumë të mira për shkollim dhe punësim.
Ajo ka ndihmuar shumë shqiptarë që kanë emigruar në Suedi, për të cilën gjë thotë se ndihet krenare dhe se një gjë të tillë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
Aurora Pirraku Eriksson është e martuar dhe ka katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Të dy djemtë e mëdhenj kanë përfunduar Juridikun, vajza është duke vijuar studimet e post-diplomike në New York. /GazetaKNN