Reforma në drejtësi ka qenë lajmotvi i çdo deklarate të faktorit ndërkombëtar ndaj politikës shqiptare, si kushti kryesor që duhet të plotësonte vendi për të fituar çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
Kancelaria gjermane Angela Merkel në vizitën e 8 korrikut 2015 në Tiranë, më shumë se një vit më parë përcolli qëndrimin e një partneri të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën integruese, kur tha se anëtarësimi kërkon plotësimin e të gjitha kushteve, ku reforma në drejtësi konsiderohet si më e rëndësishmja për Shqipërinë.
Në 14 shkurt, Tiranën e vizitoi Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili u shpreh optimist për realizmin e reformën në drejtësi, i bindur se vendi po ecte në drejtimin e duhur.
Nga Brukseli, Federica Mogherini kërkoi miratimin sa më të shpejtë të reformës në drejtësi.
Reformë pa kushte, kërkoi edhe komisionari i Zgjerimit në BE, Johannes Hahn në takimet që pati me 30 mars me krerët e politikës shqiptare.
Edhe dy eurodeputetët, Eduard Kukan dhe Knuet Flekeshtajn erdhën me një mision të posaçëm me apelin për përmbylljen në kohë të reformës.
Por ndërkombëtarët me pak gjasë e kishin parashikuar se kërkesa e tyre për ta miratuar reformën brenda qershorit nuk do të zbatohej nga politika.
Vonesat në realizmin e dakordësisë, edhe pas takimit të qershorit mes dy kundërshtarëve politike Rama e Basha risollën në Tiranë, për të dytën herë brenda një viti, zëvendësndihmësen sekretaren amerikane të shtetit, Voctoria Nuland, e cila solli me vete edhe atë që është pagëzuar si propozimi hibrid, ku sipas SHBA-së plotësohen kërkesat e të dyja palëve.